Jessica Dickler -CNBC
Makinat e reja janë gjithnjë e më të kushtueshme. Por janë edhe më të qëndrueshme se më parë, gjë që do të thotë se blerësit kanë më shumë mundësi të marrin vlerën e parave të tyre.
Ndërkohë që çmimi mesatar i transaksionit për makinat e reja në SHBA ka arritur një shifër të vlerësuar në 45.872 dollarë në nëntor – më e larta e regjistruar ndonjëherë – sipas një parashikimi të përbashkët të J.D. Power dhe LMC Automotive – edhe mosha mesatare e makinave në qarkullim ka arritur rekordin historik 12.2 vite në vitin 2022, sipas një raporti të IHS Markit.
Një dekadë më parë, mosha mesatare ishte pak më shumë se 11 vjet. Në vitin 2002 ishte 9.6 vjet.
Sipas Will Kaufman, redaktor i lajmeve në Edmunds, përparimet në të gjithë sektorët, nga materialet te teknologjia kanë ndikuar në këtë rezultat “dhe është një gjë e mirë fakti që sot automjetet zotërojnë mënyra më të mira për të paralajmëruar drejtuesit në raste të problemeve të mirëmbajtjes”.
10 makinat me jetëgjatësinë më të madhe
Ndër modelet me jetëgjatësinë më të madhe, Toyota Sequoia kryeson klasifikimin, me mundësinë për të përshkuar rreth 300,000 milje, ndjekur nga Land Cruiser, sipas një studimi të fundit të iSeeCars, i cili ka analizuar më shumë se 2 milionë automjete në 20 vitet e fundit, për të parë se cilat automjete mund të jetojnë më gjatë.
Në përgjithësi, SUV-ët dhe kamionët janë llojet më të zakonshme të automjeteve që renditen në top 10, ndërsa makinat e pasagjerëve më efikase nga pikëpamja e konsumit, duke përfshirë Prius dhe Avalon, fituan dy vende në klasifikim.
“Blerësit vlerësojnë shumë besueshmërinë e shtëpive automobilistike dhe janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndikimit që reputacioni për besueshmëri – ose jo – mund të ketë në markën e tyre” – deklaroi Kaufman.
Gjashtë nga dhjetë të parët janë SUV, kamionë ose automjete Toyota. Ndër konkurrentët e tjerë në top 5 gjejmë Chevrolet Suburban dhe GMC Yukon, të dyja SUV.
Si rregull i përgjithshëm, pjesa më e madhe e drejtuesve të makinave marrin në konsideratë kuotën 200,000 milje si kufirin maksimal të jetëgjatësisë së një makine, megjithëse disa modele, kanë, në mënyrë të dukshme, potencialin për të udhëtuar shumë më larg.
Sipas IHS Markit, i cili gjurmon regjistrimet e automjeteve në çdo shtet, oferta e kufizuar e automjeteve dhe kamionëve të rinj për shkak të mungesës së chip-ave ka nxitur konsumatorët të përdorin më gjatë automjetet që zotërojnë.
Miliona njerëz që më parë udhëtonin për në punë, kanë përshkuar më pak kilometra me makinat e tyre teksa punonin nga shtëpia, duke zgjatur më tej jetën e automjeteve të tyre.