Extra Këto janë lagjet “më cool” në botë për vitin 2022

Këto janë lagjet “më cool” në botë për vitin 2022

Një nga pjesët më të bukura të pushimeve mund të konsiderohet momenti kur zbuloni ato pjesët e qytetit që janë dukshëm më të populluara nga vendasit sesa nga turistët.

Ndoshta mund të jetë kafeneja e zakonshme por që shërben kafenë më të mirë që keni provuar ndonjëherë, mund të jetë lokali nëntokësor që nuk ka asnjë tabelë në rrugën sipër, ose restoranti që gatuan ushqimet e shijshme lokale, për të cilat nuk keni dëgjuar kurrë.

Për t’ju ndihmuar që të zbuloni bukuritë e fshehura në pushimet tuaja të ardhshme në qytete të ndryshme, kompania globale e medias Time Out ka publikuar listën e saj vjetore të lagjeve më të bukura në botë.

Në krye të listës për vitin 2022 është lagjja Colonia Americana, e cila gjendet në qytetin e Guadalajara në Meksikën perëndimore. Time Out thotë se kombinimi elektik i ndërtesave historike të stilit Art Deco me ambientet e përshtatura muzikore në magazinat e qytetit, bënë që Colonia Americana të zinte vendin e parë.

“Guadalajara është një qytet që duhet vizituar me patjetër, ndërsa Colonia Americana është vendi ku duhet të ndodheni tani,” tha redaktori i Time Out Travel, James Manning. “Në këtë zonë ndodhet një komunitet krijues që preferon të tejkalojë kufijtë, si dhe ka një numër të madh të vendeve mahnitëse për të ngrënë dhe për të shjuar jetën e natës.

Këto vende janë ndër më të mirat në të gjithë hemisferën perëndimore. Për më tepër, jeta në rrugët e qytetit është shumë e gjallë.”

Lista e Time Out është rezultat i një sondazhi gjithëpërfshirës ku mijëra njerëz nga e gjithë bota u pyetën për vendet e preferuara në qytetin e tyre. Redaktorët e Time Out dhanë gjithashtu vlerësimet e tyre sipas ekspertizës lokale që kanë, me qëllimin për të krijuar listën përfundimtare, duke renditur 51 lagjet më të bukura në botë.

Njëzet lagjet më të mira janë, “e thënë thjesht, vende të mahnitshme për t’u vizituar tani”, thotë Time Out.

Lagjet eklektike

Cais do Sodré – Lisbonë, Portugali

Menjëherë pas Colonia Americana vjen lagjja Cais do Sodré e Lisbonës, e cila zuri vendin e dytë në listë. Prej kohësh, kjo lagje portugeze njihej për jetën e saj të gjallë të natës, por tani ajo po dallon më shumë për ushqimin e shijshëm që ofron.

“Kjo është lagjja ku kuzhinierët e rinj më të mirë të Lisbonës po hapin restorantet e reja,” thotë Time Out, duke përmendur Quiosque de São Paul dhe Tricky’s si vendet kryesore për të pirë dhe për të ngrënë.

Wat Bo Village – Siem Reap, Kamboxhia

I treti në listën e vitit 2022 është Wat Bo Village, në Siem Reap të Kamboxhias. Sipas Time Out, zona përreth pagodës spektakolare Wat Bo ka kaluar një “transformim serioz” gjatë vitit të kaluar. Hotelet butik si Viroth’s dhe Treeline Urban Resort janë përmendur si destinacione kryesore, së bashku me restorantin Tevy’s Place, i cili shërben ushqime të shijshme organike dhe, gjithashtu, funksionon si një sipërmarrje sociale që fuqizon gratë vendase.

Ridgewood – New York City, ShBA

Ridgewood e Nju Jorkut është lagjja amerikane që ka marrë vlerësimin më të lartë, duke u renditur në vendin e katërt. Time Out thotë se baret dhe restorantet e reja në këtë zonë të Queens-it, së bashku me vende të tjera si pastiçeria Rudy’s Bakery, e cila është hapur në vitin 1934, i dhanë kësaj lagjeje një vend në listën e vitit 2022.

Mile End – Montreal, Kanada

Ndërkohë, Mile End në Montreal të Kanadasë përmbyll pesëshen më të mirë të Time Out. Kjo lagje është përshkruar si një “vend për të shëtitur”, në të cilin ndodhen “disa nga restorantet, libraritë, dyqanet e luleve, kasapët, pastiçeritë dhe prodhuesit më të mirë të shandanëve në qytet”.

Dave Calhoun, menaxheri i Time Out për përmbajtjen e mediave sociale në Amerikën e Veriut dhe Mbretërinë e Bashkuar, tha se qëllimi i listës vjetore ishte që të vinte në pah ato zona të cilat nuk janë “destinacione të homogjenizuara“, por që “kanë një atmosferë të veçantë dhe mikpritëse”.

“Ju mund të jeni në gjendje që t’i shëtisni këto zona për gjysmë ore ose edhe për më pak kohë, por ato janë plot me eksperienca që do t’ju bënin të kalonit ditë të tëra për t’i provuar,” tha ai. / CNN

Barrio Logan – San Diego, ShBA
Shimokitazawa – Tokio, Japoni
Cliftonville – Margate, Mbretëri e Bashkuar
Barrio Yungay – Santiago, Kili
Cours Julien – Marsejë, Francë