Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.
“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it, dërguar mediave.
Autoritetet e Kosovës pretendojnë se policët janë arrestuar brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi thonë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.
KFOR-i u bëri thirrje të dyja palëve që t’i respektojnë marrëveshjet dhe procedurat e bashkëpunimit me këtë mision, si dhe të përmbahen nga “retorika provokuese”.
“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës – përfshirë policinë kufitare – dhe KFOR-it”.
“Po ashtu, ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it”, thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës.
Kosova dhe NATO-ja kanë një marrëveshje nga viti 2013, në bazë të së cilës FSK-ja nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.
KFOR-i kërkoi, po ashtu, nga Kosova dhe Serbia që “të shmangin çdo veprim të njëanshëm, që mund t’i përshkallëzojë tensionet në zonë”.
“KFOR-i i mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thekson misioni i NATO-s, i cili është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës.
Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha të premten urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të arrestuar të Kosovës dhe u shqiptoi atyre masë paraburgimi prej 30 ditësh.
Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.
Autoritetet në Kosovë shprehën shqetësim për, siç thanë, “kushtet çnjerëzore” në të cilat mbahen policët./REL