Këtë të shtunë, në ambientet e “Feti Borovës”, në Parkun Olimpik të Tiranës, do të zhvillohet dueli i “kickbox”-it për titullin botëror për peshën deri në 75 kg, mes sportistit shqiptar Adriatik Cami dhe marokenit Ayoub Zerouali.
Dibrani, i cili vetëm përpara pak ditësh festoi 39-vjetorin e tij të lindjes, tashmë ka filluar përgatitjet për këtë përballje, titullin të cilin kërkon ta fitojë në vendlindjen e tij.
Cami nuk e fshehu optimizmin e tij për fitoren e kësaj ndeshjeje, edhe pse e njeh shumë pak rivalin, sigurisht pa mohuar të papriturat që mund të ndodhin në këtë duel.
Adriatik Cami, i cili prej 22 vitesh jeton dhe stërvitet në Greqi, prej 7 vitesh bashkëpunon me trajnerin Angelos Stamatiadhis: “Prej 7 vitesh punoj me Camin. Është një sportist e njeri i mirë, ndihmon edhe sportistët e tjerë. ai mezi e ka pritur këtë moment për të zhvilluar një duel për titullin botëror në Shqipëri, kjo sepse është edhe ndeshja e tij e fundit”.
Adriatik Cami e nisi karrierën e tij në “kickbox” në vitin 1996 në nivelin amator. Në 2003 ai u bë sportist profesionist i kësaj disipline sportive.
39-vjeçari ka punuar me disa trajnerë në karrierën e tij dhe ka marrë pjesë në disa evenimente në Greqi dhe Evropë. Në 2005 u shpall kampion ballkanik dhe nënkampion Evrope.
Ndërsa në 2016 fitoi titullin evropian në 75 kg, pasi mundi polakun Bieinias në duelin e zhvilluar në Bullgari.