Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, tha se mezi po pret të shohë rezultatet sa i përket Reformës Zgjedhore. Pas një takimi me kreun e opozitës, Lulzim Basha, Kim u shpreh optimiste.
“Diskutuam për të ardhmen dhe jo të shkuarën. Dhe në veçanti, për rëndësinë e udhëheqëseve që të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar, për të përfunduar Reformën Zgjedhore deri më 31 maj. Ky nuk është afat që e vendosi ambasada, por që vetë udhëheqësit ia caktuan vetes. Opozita ka një detyrë shumë të vështirë, por jam shumë e inkurajuar nga biseda pata këtë pasdite dhe mezi po pres rezultatet”, tha ambasadorja.
Kreu i PD, Basha, e falënderoi ambasadoren për mbështetjen që i ka dhënë Reformës Zgjedhore. “Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është prioritet i opozitës. Ne jemi të vendosur që t’i garantojmë shqiptarëve mundësinë që të kenë votime të lira e të ndershme një orë e më parë. Do të bëjmë gjithçka që brenda 31 majit, një afat që opozita ia ka vendosur kësaj maxhorance, reforma të ketë përfunduar dhe do të bëjmë gjithçka për të garantuar vullnetin politik për të zbatuar ligjin, në mënyrë që kjo krizë e thellë të marrë rrugë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe njëkohësisht Shqipëria të ecë përpara, të mos mbetet peng e të shkuarës”, tha Basha.