Koreja e Veriut do t’i dërgojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës një “dhuratë për Krishtlindje”, por se çfarë do të përmbajë dhurata do të varet nga ecuria e bisedimeve mes Uashingtonit dhe Penianit, paralajmëroi një zyrtar i lartë i vendit.
Deklarata e pazakontë është komentuar si një shenjë që Koreja e Veriut do të rinisë testimet për predhat me rreze të gjatë pas vendosjes së një afati deri në fund të vitit për mbylljen e bisedimeve me administratën Trump. Negociatat duket se nuk kanë shkuar mirë në muajt e fundit, pasi Koreja e Veriut ka kryer disa testime për predha me rreze të shkurtër.
Të mërkurën, lideri Kim Jong Un, u ngjit për herë të dytë në malin e shenjtë korean Paektu në më pak se dy muaj, këtë herë bashkë me gruan Ri Sol-ju dhe një shpurë ushtarakësh, të gjithë mbi kuaj të bardhë. Fotot simbolike janë lidhur me situatën e politikës së jashtme, pasi sipas analistëve vizitat në malin e shenjtë shihen si një shenjë për ndryshimin e strategjive.