Ambasadorja amerikane e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një vizitë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, (SPAK). Vizita e Kim përkoi me prezantimin e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kim reagoi në rrjetet sociale dhe tha se agjentët e BKH-së do t’ia dalin me sukses dhe se SHBA do t’i mbështesë fort në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“U takova sot me hetuesit e BKH-së, të cilët janë duke përfunduar trajnimin. Detyra e tyre është e rëndësishme dhe e vështirë, por do t’ia dalin me sukses. Populli i Shqipërisë ka shpresa tek ta. Familjet e tyre janë krenare për ta. SHBA do t’i mbështesë fort në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Kim në Twitter.
Gjatë vizitës së saj, ambasadorja amerikane është takuar me kreun e SPAK, Arben Kraja dhe drejtuesen e BKH, Aida Hajnaj.
Agjentët e BKH pritet që të marrin distinktivin dhe të nisin zyrtarisht nga puna. Deri më tani janë 28 agjentë që kanë përfunduar me sukses trajnimet.
Po ashtu, ata kanë përfunduar me sukses teste të ndryshme që kanë të bëjnë me logjikën e arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar etj. Po ashtu ata i janë nënshtruar trajnimeve për përdorimin e armëve.