Agjencia Ruse e Hapësirës Roscosmos thotë se ka nënshkruar një marrëveshje me Administratën Kombëtare të Hapësirës të Kinës për të zhvilluar pajisje kërkimore rreth sipërfaqes së hënës dhe orbitës.
Në një deklaratë nga agjencitë hapësinore të të dy vendeve thuhet se stacioni i ndërtuar do të jetë në dispozicion për t’u përdorur edhe nga kombet e tjera.
Njoftimi vjen ndërsa Rusia po përgatitet të festojë 60 vjetorin e fluturimit të saj të parë hapësinor me njerëz.
Stacioni Ndërkombëtar Shkencor i Hënës do të kryejë një gamë të gjerë kërkimesh shkencore duke përfshirë hulumtimin dhe përdorimin e hënës, u tha në një deklaratë të lëshuar nga të dy agjencitë. Rusia dhe Kina do të bashkëpunojnë në planifikimin, hartimin, zhvillimin dhe funksionimin e kërkimit.
Rusia, e cila ishte pioniere e eksplorimit të hapësirës, është eklipsuar nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit. Vitin e kaluar ajo humbi monopolin e saj për të marrë astronautë në stacionin hapësinor ndërkombëtar pas lëshimit të suksesshëm të SpaceX.
Ndërkohë, SHBA-të kanë njoftuar planet për t’u kthyer në hënë deri në vitin 2024. Programi, i quajtur Artemis, do të çojë një burrë dhe grua në përfaqen e Hënës, dhe ky udhëtim me njerëz do të jetë i pari që nga viti 1972.