Elon Musk dhe Jeff Bezos janë dy personat më të pasur në botë, numri një dhe numri dy i renditjes.
Mes tyre nuk ka simpati, dhe kjo dihej, madje janë konkurrentë në shumë fusha të ndryshme, deri te udhëtimet hapësinore, njëri me XSpace, tjetri me Blue Origin.
Por blerja e bujshme e Musk të një prej mediave sociale kryesore në botë, Twitter, për shifrën e 44 miliardë dollarëve, rrezikon të shndërrojë antipatinë dhe rivalitetin në përballje të hapur.
Bezos, krijuesi i Amazon, postoi pikërisht në Twitter një postim ku komentonte një artikull të një gazetari të New York Times, i cili shtjellonte tezën që Musk është shumë i lidhur ekonomikisht me Kinën, dhe se kjo mund të përfaqësonte një rrezik për lirinë shprehjes në Twitter.
“Mos vallë Kina ka fituar pushtet në sheshin e fshatit”, term me të cilin Bezos ironizon pikërisht rrjetin social tashmë të Musk.
Nuk është hera e parë që dy miliarderët ironizojnë kompanitë e tyre. Një muaj më parë, Musk shkruante për prestigjiozen Washington Post, në pronësi të Bezos, që është “një vend i mirë për t’ia futur së qeshurës”.
Musk bleu Twitter për shifrën përrallore, por e përballueshme nga ai që revista Forbes cilëson si njeriun më të pasur në botë, me një kapital prej 273.6 miliardë dollarësh, kryesisht për shkak të aksioneve të tij në prodhuesin e automjeteve elektrike Tesla.