Bota Putin: Pa Krimenë dhe Dombasin marrëveshja me Ukrainën është e pamundur

Putin: Pa Krimenë dhe Dombasin marrëveshja me Ukrainën është e pamundur

Pas takimit që zhvilloi në Moskë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, presidenti rus Vladimir Putin tha se negociatat me Ukrainën do të vazhdojnë dhe shpreson që bisedimet të japin një rezultat pozitiv.

“Bisedimet vazhdojnë përpara, mbahen online, shpresojmë që të ketë rezultate pozitive. Por pa një marrëveshje mbi Krimenë dhe Donbasin nuk është e mundur firmosja e garancive të mbi sigurinë e Ukrainës”, tha presidenti pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB, së Antonio Guterres.

Presidenti rus tha se bisedimet e fundit në Stamboll kishin pasur një “përparim”, por tha se ato ishin prishur pas raportimeve për masakra kundër civilëve në qytetin ukrainas të Bucha. Ai pretendoi se ato ishin “provokim” dhe shtoi se “ushtria ruse nuk kishte asnjë lidhje”.

“E dimë kush e ka vendosur në skenë provokimin në Bucha. Ushtria ruse nuk ka fare lidhje me atë që ka ndodhur”, tha Putin.

Duke iu referuar situatës aktuale në Mariupol, të cilën ai e përshkruan si “të ndërlikuar dhe tragjike”, Putin shtoi se nuk po zhvillohen më operacione ushtarake ruse në qytetin e rrethuar.