Bota Kina kërkon të përdorë Hënën si “mburojë” për Tokën, por SHBA nuk...

Kina kërkon të përdorë Hënën si “mburojë” për Tokën, por SHBA nuk i beson

Kina planifikon të përdorë Hënën për të mbrojtur Tokën nga asteroidet që mund të arrijnë në sipërfaqen e Tokës.

Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i zënë besë këtij plani. Drejtori i NASA-s, Bill Nelson, tha në fillim të këtij muaji: “Ne duhet të jemi shumë të shqetësuar që Kina do të zbresë në Hënë. Duket sikur po thonë: tani është e jona dhe ju të tjerët qëndroni jashtë”.

Sipas kreut të NASA-s, Kina kërkon të ndërtojë bazën e saj hënore së bashku me Rusinë dhe planifikon ta përfundojë atë në vitin 2035. Kjo do t’u mundësonte të dy vendeve të eksperimentojnë në sipërfaqen hënore që nga viti 2036.

Qeveria kineze deklaroi se këto akuza përbëjnë “një kërcënim të madh” për përdorimet paqësore të hapësirës dhe mbron faktin se aktivitetet kineze të kërkimit kanë objektiva legjitime ekonomike, sociale, shkencore, teknologjike dhe të sigurisë.

“Sistemi do të ketë aftësinë për të kapur asteroidët që vijnë nga të gjitha drejtimet dhe mund të formojë një rreth mbrojtës midis Hënës dhe Tokës”, tha Wu Weiren, projektuesi kryesor i Programit Kinez të Eksplorimit Hënor, në artikullin e tij të botuar në revistën “Scientia Sinica Informationis”.

Gjithsesi, linja e mbrojtjes hënore nuk është miratuar ende nga qeveria kineze.

Çfarë dëshiron të bëjë Kina? Gjiganti aziatik dëshiron të vendosë tre satelitë, me shumë karburant dhe që mbajnë edhe armë kinetike në orbitën e Hënës, që të qarkullojnë rreth planetit. Përveç kësaj, dy teleskopë do të ndërtohen gjithashtu në polet e satelitit, për të vëzhguar qiellin për çdo kërcënim që rrëshqet përmes rrjetit të paralajmërimit të hershëm me bazë tokësore.