Kuriozitete Kina lëshon për herë të parë një raketë nga… uji!

Kina lëshon për herë të parë një raketë nga… uji!

Kina lëshoi sot në hapësirë një raketë nga deti, rasti i parë për vendin.

Kjo arritje konfirmon ambiciet e saj në tregun e vendosjes në orbitë të satelitëve tregtarë.

”Raketa CZ-11 u lëshua rreth orës 12:06 sipas asaj lokale (04:06 GMT) nga një platformë në Detin e Verdhë, që shtrihet mes Kinës dhe Gadishullit Korean”, njoftoi agjencia kineze hapësinore (CNSA).

Ajo kishte të inkorporuar shtatë satelitë, dy eksperimentalë dhe pesë tregtarë, që u vendosën në orbitë.

”Ky rast shënon përpjekjen e parë të Kinës të lëshimit të një rakete nga deti. Kjo do të mundësojë për të përmbushur më së miri nevojat e ndryshme në fushën e lëshimit të satelitëve”, pohoi e entuziazmuar CNSA.

Përdorimi i një lëshimi nga hapësira ujore përbën në fakt disa avantazhe.

Kjo bën të mundur që raketa të shtrihet më afër ekuatorit, ku përfiton më së miri nga rrotullimi i Tokës.