Kina ka ndërmarrë më në fund lëvizjen që bllokon Hong Kongun. Bëhet fjalë për një lëvizje që synon sipas Pekinit mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe frenimin e prirjeve autonomiste të qytetit-shtet.
Ligji i ri, që është depozituar në Kongresin Kombëtar të Popullit, do të sanksionojë ndarjen, qëndrimin kundër shtetit kinez, terrorizmin dhe ndërhyrjet e huaja.
Lëvizja tejkalon kontrollin e parlamentit të ish-kolonisë britanike dhe i hap rrugë ngritjes në qytet të një zyre për sigurinë kombëtare të Pekinit, pa autorizimin që duhet t’i kërkohet qeverisë lokale.
Duke folur në Kongres, kryeministri Li Keqiang ka afirmuar se objektivi i këtij ligji është ngritja e sistemeve solide juridike dhe mekanizmave për ruajtjen e sigurisë kombëtare në dy rajonet administrative, Hong Kong dhe Makao, si dhe përmbushja e përgjegjësive kushtetuese nga dy qeveritë lokale.
“Kina do të ndjekë parimet e politikave të referimit në rastin e Taivanit, duke kundërshtuar me vendosmëri çdo aktivitet separatist në kërkim të pavarësisë”, ka deklaruar Li.
Kreu i qeverisë ka dhënë garanci se do të përmirësohen dispozitat, politikat dhe masat institucionale për të inkurajuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin mes dy anëve të ngushticës së Taivanit.
“Do t’i inkurajojmë të bashkohen me ne, të bëhen pjesë e riunifikimit të Kinës dhe të kundërshtojnë çdo formë pavarësie”, ka shtuar kryeministri Li.
Qeveria kineze ka paralajmëruar edhe Shtetet e Bashkuara që të mos përzihen në çështjet e saj të brendshme.
Ligji është kundërshtuar nga ligjvënësit dhe aktivistët e Hong Kongut, që kanë mbajtur edhe protesta. Ndërkohë që bursat e qytetit-shtet pësuan menjëherë rënie.
Një ligj i tillë u diskutua në Hong Kong edhe në 2003, por u refuzua me manifestime masive nga popullsia vendase, dhe nuk ishte futur më në agjendën e pushtetit kinez. Por protestat e vitit të kaluar në kundërshtim të një ligji tjetër, atij të transferimit të të dënuarve në Kinë, protestë kjo masive dhe në disa raste e dhunshme ndaj institucioneve lokale dhe qendrore, ka bindur Pekinin se një masë frenuese duhej miratuar.
Miratimi i pritshëm i normës për sigurinë kombëtare pritet të ndezë debatin edhe ndërkombëtarisht, dhe të tensionojë sërish marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e saj aleate, veçanërisht Mbretërinë e Bashkuar.