Kina ka ndaluar hyrjen e turistëve në kampin bazë për t’u ngjitur në Everest nga Tibeti, për shkak të grumbullimit të plehrave nga ekspedita të shumta. Sipas autoriteteve kineze, ato kanë ndotur “çatinë e botës”.
Ky ndalim vlen për “turistët e zakonshëm”, ndërsa alpinistët që kanë marrë lejet e nevojshme ende kanë të drejtë të ngjiten në kulmin më të lartë të botës.
Everesti, 8848 metra i lartë, ndodhet në kufirin e Nepalit dhe Kinës (Tibet), dhe vitet e fundit kjo zonë, përveç alpinistëve, është vizituar gjithnjë e më shumë nga turistët. Për shkak të numrit të madh të njerëzve, së bashku me masën në rritje të mbeturinave, janë gjetur dhe trupa alpinistësh të vdekur nga rrëzimet në lartësi.
Në vitin 2018 Kina zhvilloi tre aktivitete pastrimi malor mbi 5200 metra, duke mbledhur “më shumë se tetë ton mbeturina, mbetje njerëzore dhe pajisje alpine”.