Kina ka pranuar se vaksinat e saj kundër koronavirusit kanë një efektivitet jo të lartë dhe për këtë arsye, shefi i institucionit për parandalimin e sëmundjeve infektuese, u shpreh se po mendohet miksimi i tyre për të krijuar një produkt më të mirë, shkruan Associated Press.
“Vaksinat kineze nuk kanë një nivel mbrojtje shumë të lartë”, u shpreh drejtori i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, Gao Fu në një konferencë në Chengdu.
Zyrtari i lartë kinez tha se vendi po ekzaminon të ndjekë dy rrugë “për të zgjidhur problemin e vaksinave aktuale që nuk ofrojnë mbrojtje shumë të lartë”.
Njëri opsion është përshtatja e dozës, intervali ndërmjet dozave ose rritja e dozave. Rruga e dytë është miksimi i vaksinave që përdorin teknologji të ndryshme.
“Jemi duke marrë në konsideratë nëse duhet të përdorim vaksina të tjera të prodhuara në linja të ndryshme teknike për të çuar përpara procesin e imunizimit”, shtoi Gao.
Për momentin, Kina nuk rekomandon miksimin e vaksinave të ndryshmme.
Aktualisht, Pekini ka shpërndarë miliona doza me vaksinë në shumë vende të tjera, mes tyre dhe në Shqipëri.
Studiuesit brazilianë kanë deklaruar më herët se efektiviteti i vaksinës kineze të prodhuar nga kompania Sinovac arrin deri në 50.4%, krahasuar me 97% që ka ajo e Pfizer. Deri në këto momente, Kina nuk ka miratuar asnjë vaksinë të prodhuar në vende të tjera.
Gao nuk dha detaje nëse do të ketë një ndryshim të strategjisë, por përmendi vaksinat mRNA, një teknikë eksperimentale që po përdorin prodhuesit perëndimorë, ndërsa firmat farmaceutike kineze janë duke përdorur metodat tradicionale.
“Të gjithë duhet të konsiderojmë benefitet që vaksinat mRNA mund të sjellin për njerëzimin. Ne duhet t’i ndjekim me vëmendje ato dhe jo t’i injorojmë”, përfundoi zyrtari i lartë kinez.