Presidenti kinez, Xi Jinping, ka propozuar përdorimin e një kodi QR- Quick Response Code – Kod i Përgjigjes së Shpejtë – global për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve në këtë kohë pandemie. Kodi në fjalë ka krijon mundësi për lokalizim dhe gjurmim online, duke zgjidhur një ndër problemet kryesore sot.
Jinping e bëri propozimin e tij gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e G20 dhe sipas tij ky kod do të përfshijë njohjen reciproke të të dhënave të tilla si certifikata shëndeti, testin e acidit nukleik që provon praninë e patogjenëve. Të integruar në formën e kodi QR këto të dhëna online të shkëmbyeshme mes shteteve do të krijonin lehtësi të madhe për lëvizjen e njerëzve duke mos cenuar sigurinë.
“Ne shpresojmë se shumë shtete do të marrin pjesë në këtë mekanizëm. Duhet të standardizojmë më tej politikat dhe të krijojmë gjurmimin e shpejtë për të lehtësuar lëvizjen e rregullt të njerëzve”, tha ndër të tjera Xi.
Kina urdhëroi përdorimin e gjerë të certifikatave shëndetësore të bazuara në QR në fillim të këtij viti. Sistemi, i cili përdor një barkod elektronik për të ruajtur historinë e udhëtimit dhe shëndetit të një personi, është vlerësuar se ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së virusit.
Sistemi iu jep përdoruesve një kod me ngjyra bazuar në ekspozimin e tyre të mundshëm ndaj koronavirusit. Ngjyrat janë sipas semaforëve, ku jeshilja është më e sigurta, pastaj ngjyra e verdhë dhe së fundmi e kuqja.
Duke folur në takimin e udhëheqësve virtualë të G20, Xi tha se për të siguruar “funksionimin e qetë” të ekonomisë botërore gjatë pandemisë, vendeve iu duhet të koordinojnë një grup uniformë të politikave dhe standardeve”.
Teknikisht propozimi nuk ka të sharë, por këtu çështja është te të dhënat dhe interesi i shteteve për të ofruar informacione të tilla.