Kina ka shënuar 72 orë pa asnjë rast të ri me koronavirus, pavarësisht lehtësimit të masave të karantinimit.
Gjithashtu, edhe numri i vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19 ka shënuar ulje drastike.
Ky zhvillim pozitiv, ka përkuar me vendimin e qeverisë për të lehtësuar masat e rrepta të karantinës, të cilat ishin vendosur në të gjithë vendin.
Edhe në Vuhan, epiqendra e sëmundjes, banorët tashmë mund të kalojnë më shumë kohë jashtë.
Bizneset lokale rifilluan të happen në ato lagje ku nuk kishte raste të prekura nga virusi.
Infeksioni duket se është bllokuar totalisht në Kinë, vendi që luftoi me muaj për të parandaluar virusin Covid-19.
Megjithëse asnjë i infektuar nuk është zbuluar për tre ditë radhazi, Kina tha se u shënuan 41 raste të reja, por që ishin të ardhura nga jashtë vendit.
Kina deklaroi edhe shtatë vdekje si pasojë e Covid-19, duke theksuar se numri i viktimave në vend si pasojë e virusit është në rënie të madhe.
Rreth 3 mijë e 255 njerëz kanë humbur jetën në Kinë si pasojë e Covid-19.
Triumfi i Kinës është në kontrast të madh me luftën e vazhdueshme të Europës kundër virusit.
Italia ka shënuar mbi 4 mijë vdekje, duke rezultuar si kombi më i prekur në botë nga Covid-19.
Vendet europiane kanë mbyllur kufijtë e tyre dhe kanë marrë masa shumë të ashpëra për qytetarët, duke pezulluar të gjitha aktivitetet publike, mbyllur bizneset dhe izoluar qytetarët në banesa, me shpresën se mund të parandalojnë virusin Covid-19.
Koronavirusi ka vrarë deri tani 5 mijë njerëz në Europë dhe 11 mijë e 400 në të gjithë botën. Ka infektuar 275 mijë persona në nivel global.