Në 70 vitet e fundit, pjesëtarë të Kishës Katolike franceze mund të jenë autorë të abuzimeve seksuale mbi të paktën 10 mijë persona.
Ky është rezultati shokues, por ende paraprak, i zbuluar nga gjetjet e Komisionit të Pavarur për abuzimet seksuale (CIASE), një komision i ngritur nga vetë Konferenca e Peshkopëve francezë, për t’i dhënë fund heshtjes ndaj këtyre krimeve, që është ushtruar në veçanti ndaj të miturve.
Komisioni ka mbledhur deri më tani më shumë se 6500 dëshmi, që përfshijnë 3 mijë viktima.
Raporti final pritet brenda pak muajsh, dhe me siguri do të shkaktojë një “tërmet” në institucionin fetar të atij vendi dhe jo vetëm, por njëkohësisht nga disa pjesëtarë të rëndësishëm të saj, cilësohet edhe si mundësia për të mbyllur një kapitull të errët dhe për të rindërtuar besueshmërinë ndaj opinionit publik, të cenuar nga skandalet e shpeshta.
Sipas kryepeshkopit Charles Scicluna, një nga personat më të angazhuar në zbulimin e këtyre krimeve, është që raporti – por edhe drejtimi i ri i Papa Franceskut – për raportimin e menjëhershëm të këtyre krimeve, do të sjellë rezultate. “Do të tregojë që lidershipi nuk shkon mbi ligjin, dhe që njerëzit që e duan Kishën do të na denoncojnë, po të bëjmë diçka që nuk shkon”.