Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, Kisha Katolike në vendin tonë fton të gjithë besimtarët katolikë, por jo vetëm, që të marrin pjesë në votim. Duke e konsideruar pjesëmarrjen në këtë proces si një detyrim moral që buron edhe nga Doktrina Shoqërore e Kishës, Konferenca Ipeshkvore vë theksin te fenomeni i shitblerjes së votës si një plagë e madhe që nuk duhet të ekzistojë.
“Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Po ashtu, kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet. E papranueshme më pas është fakti që, bashkëngjitur shitblerjes së votës, i shtohet edhe betimi në librat e shenjtë”.
Ndërkohë për forcat politike që synojnë të qeverisin vendin pas 25 Prillit Kisha rendit disa sfida.
“Fillimisht, pandemia e COVID-19-ës që vendi ynë po kalon. kërkohen strategji të mirëfillta psiko-sociale që të dalim faqebardhë nga kjo pandemi. një prej prioriteteve me siguri se duhet të jetë rindërtimi. Në rrafshin politik, është urgjente që reforma në drejtësi, aktualisht në letër, të bëhet realitet. Në rrafshin social, nuk mund të mos evidentojmë plagën e madhe të të rinjve dhe të familjeve të reja që po e braktisin Shqipërinë”.
Gjithashtu Konferenca Ipeshkvore nënvizon se një sfidë tjetër me të cilën duhet të përballet qeverisja e ardhshme është korrupsioni.