Arqipeshkvia metropolitane Tirane-Durrës ka reaguar sërish pas debateve që shkaktoi letra e monsinjor Xhorxh Frendos, lidhur me kërkesën e 8 ministreve drejtuar Holandës për hapjen e negociatave.
Në një status në Facebook, Arqipeshkvia shkruan se disa persona kanë përfituar nga shkrimi i Monsinjor Frendos për të sulmuar Kishën Katolike.
“Sistemi komunist ka rënë, por tek këta persona, skeptri i Enver Hoxhës (që tregonte një urrejtje të veçantë ndaj Kishës Katolike) ende është i gjallë. Në këtë shoqëri demokratike dhe pluraliste, të gjithë kanë të drejtë të flasin e të shprehin mendimet e tyre, përveç një ipeshkvi katolik, dhe pikërisht sepse është katolik!”, thuhet në reagim.
Dy ditë më parë Arqipeshkvia kritikonte letrën e 8 ministreve, të cilat shprehin vlerësimin për Holandën.
Por, monsinjor Xhorxh Frendo u kërkoi grave të kabinetit qeveritar që të mos flasin në emër të të gjithë shqiptarëve, duke sjellë në vëmendje se ky shtet, ka legalizuar abortin dhe martesën mes homoseksualëve. Reagim pati edhe nga myftinia e Tiranës.