Sport Barcelona hidhet në sulm, katër pista për pasuesin e Suarez

Barcelona hidhet në sulm, katër pista për pasuesin e Suarez

Luis Suarez është prej pesë vitesh pjesë e Barcelonës, me uruguaianin që la Liverpoolin në vitin 2014 për të kaluar në “Camp Nou”.

Ylli i Barçës numëron 32 vite mbi supe dhe për këtë arsye, drejtuesit katalanas kanë nisur të mendojnë për pasuesin e tij. Siç raportohet në mediat spanjolle, emrat në tavolinë janë plot katër.

I pari në listën e dëshirave është Lautaro Martinez, me argjentinasin që pëlqehet shumë edhe nga Leo Messi. Problemi qëndron tek Interi, që vështirë se mund të bindet për ta lënë të lirë një ndër lojtarët kryesorë të ekipit.

Emri i dytë është Donyell Malen, i cili po mahnit me PSV-në, por edhe me Kombëtaren e Holandës. Bisedimet me klubin nga Eindhoveni mund të nisin në janar dhe fundi i sezonit mund ta gjejë 20-vjeçarin në “Camp Nou”.

Nëse asnjë nga emrat e mësipërm nuk arrihet, atëherë drejtuesit e Barçës kanë menduar për Rafael Leaon ose Victor Osmihen. Situata e portugezit të Milani duket pak më e ndërlikuar, pasi është në vitin e parë të tij në “San Siro” dhe gjithçka varet nga ecuria e kuqezinjve, nëse këta të fundit arrijnë zonën Champions.

Nga ana tjetër, Osmihen është njeriu i momentit në Francë, pasi po bën mjaft mirë te Lille. Nigeriani është golashënuesi më i mirë në Ligue 1, teksa ka shënuar shtatë gola në  tetë javë. Për të bindur Lille do të jetë më e thjeshtë, por gjithsesi, Osmihen mbetet alternativa e fundit në listën e Barcelonës për momentin.