Ermal Meta i shikon këngët si foto. Fotot e një momenti që shpesh dëshiron t’i ndajë menjëherë, pa ndërhyrë efekti i kohës. Kështu kënga e tij e re “Milano non esiste”, është shkruar pak ditë më parë. Kantautori është protagonist “Artista Day”, iniciativë e Corriere della Sera dhe Radio Italia, ndërsa ka dhënë një intervistë.
Pse kënga e bën Milanon të “zhdukur”?
Qytetet e mëdha ndonjëherë të bëjnë të ndihesh i vetmuar edhe nëse je rreth njerëzve sepse të shtyjnë t’i duash gjithnjë e më shumë dhe në fund të përpijnë. Por, nga ana tjetër, lumturia është të rrish me njerëzit dhe është të duash vërtet atë që tashmë ke.
A e konsideroni veten të lumtur në moshën 40-vjeçare?
Po, jetoj me muzikën që është e vetmja gjë që kam ëndërruar gjithmonë. Por duhet të jemi edhe tolerantë, duke kujtuar se nuk duhet domosdoshmërisht të jeni të parët. Lumturia do të thotë gjithashtu të jesh i kënaqur dhe unë jam i kënaqur, jo me atë që kam, por me atë që jam.
Çfarë bën Ermal Meta kur nuk bën muzikë?
Rri në heshte, diçka që ma ka mësuar muzika klasike (nëna është violiniste). Më duhen dy-tre orë në ditë heshtje për gëzimin e të fejuarës sime që tashmë e di. Muzika vjen nga heshtja dhe kaloj shumë kohë duke menduar, duke u fokusuar në atë që ndjej dhe jam. Më ka ndihmuar shumë, sidomos në një vit e gjysmë të fundit, për të luftuar frikën.
Nga se kishit frikë?
Jo konkretisht nga Covid, kam respektuar të gjitha rregullat. Por kisha frikë se mos nuk mund të kuptoja se si po ndryshonte bota. Ndoshta ka rënë në sy edhe në rrjetet sociale, ku kam postuar më pak. Kur postoj imazhe të lumtura, është sepse ato janë vërtet të tilla. Ajo që tregoj është e vërtetë. Por ndoshta unë nuk kam kuptuar shumë nga rrjetet sociale dhe nuk do të kuptoj kurrë asgjë për to.
A e ndjeni përgjegjësinë e reagimeve që mund të shkaktojë një nga postimet tuaja?
Në një periudhë në të cilën askush nuk ekspozohet duke thënë atë që mendon, unë jam një qenie njerëzore që mendon, flet dhe shkruan. Nuk i menaxhoj reagimet e fansave të mi, ndodh ajo që ndodh. Ka nga ata që janë pak a shumë entuziastë, por nuk po flasim për çështje jete apo vdekjeje. Dhe atëherë kur shkruani nuk e perceptoni tonin, përndryshe reagimi do të ishte ndryshe. Nga ana tjetër mendoj se rrjetet sociale gjenerojnë shumë vetmi.
Ndër kauzat që keni mbështetur ka qenë edhe DDL Zan (një projektligj për të drejtat e komunitetit LGBT+)
Ka ende shumë për të bërë për të drejtat civile, disa personazhe kanë thënë shumë budallallëqe, arsyen pse nuk e kam idenë. Familjet mund të jenë ose jo tradicionale. Ajo që nevojitet është dashuria: Unë kisha një familje tradicionale që ishte e tmerrshme. Babai im nuk ishte njeri i mirë, do të kisha preferuar një mijë herë diçka ndryshe. Pra, mendoni për fëmijët e dhunuar ose gratë që vuajnë dhunën.
Në shtator kishit koncert në stadiumin e Tiranës. Çfarë efekti ka te ju të këndosh në vendin ku ke lindur?
Shqipëria ka pasur vite të vështira. Kur isha i vogël ishte rreptësisht e ndaluar të dëgjoje muzikë të huaj, regjimi kishte frikë nga ajo që vinte nga jashtë, saqë për të thënë “kazino”, përdorej “Amerikë”. Kështu thoshte edhe gjyshja ime, që iu mor burri kur ai ishte 30 vjeç dhe ajo 24. Para se të vija në Itali, as nuk e dija se çfarë do të thoshte të shikoje jashtë shtetit. Mendoja për Italinë dhe mendoja boshllëkun. Kështu kur mbërritëm në Pulia më kujtohen rrugët e mëdha dhe të drejta, sepse në Shqipëri ishin të gjitha me kthesa, për të mos zbarkuar armiqtë.
Nga shkurti do të jeni në turne nëpër teatro: çfarë do të dëgjojmë?
Po i rirregulloj këngët dhe do të jenë krejtësisht të ndryshme. Unë po punoj në tri drejtime, por më duhet të zgjedh një. Do të shohim…
Viti 2021 nisi me vendin e tretë në Sanremo.
Ishte Festivali më i vështirë, për mungesën e publikut dhe për shumë gjëra që merr frymë. Por shkoi mirë, është hera e tretë që dal në podium, nuk mund të ishte më mirë se kaq.
Grupi i rrokut “Maneskin” triumfoi…
Jam i lumtur që arritën të mbërrijnë në botë, ndoshta hapën një rrugë. Ata janë të rinj dhe të bukur, kanë të gjithë rrugën përpara.
Dhe fituesi i vendit të dytë ishte Fedez që tani ka pretenduar të hyjë në politikë?
Ai është gjithmonë shumë i zoti në tërheqjen e vëmendjes, është gjeni i komunikimit. Para nja dy vitesh i thashë të kandidonte. Por përveç shakasë, ai e di se çfarë po bën dhe ka tallur disa njerëz. Mund të mësojë shumë se si të përdorin mediat sociale, madje edhe mua.