Policia e Shkodër ka finalizuar mëngjesin e sotëm operacionin e koduar “Bzheta”, ku ka sekuestruar një 96 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis.
Në një njoftim për mediat autoritetet bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni janë vënë në pranga 4 persona.
Të arrestuarit janë: Prel Zefi, 30 vjeç, Albert Logu, 21 vjeç, të dy banues në Shtoj i Ri, Pllum Fusha 37 vjeç, banues në Grudë e Re dhe Besnik Bludaj 40 vjeç, banues në Vrak, Malësi e Madhe.
Për këta persona policia kishte marrë informacione se ata po transportonin lëndën narkotike nga Malësia e Dukagjinit në drejtim të Shkodrës. Në fshatin Bzehtë, uniformat blu kanë ndaluar për kontroll tre automjete që drejtoheshin nga Zefi, Logu dhe Fusha. Në automjetin që drejtohej nga shtetasi 37-vjeçari Fusha ishte pasagjer 21-vjeçari Albert Logu.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit tip furgon që drejtohej nga Zefi, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 96 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kanabis.
Po ashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 8 aparate celular dhe 3 automjete.