Real Madrid pësoi një humbje të bujshme në Paris me rezultatin 3-0, edhe pse PSG vinte në këtë takim pa treshen e saj të yjeve: Neymar-Cavani-Mbappe.
Kjo humbje bëhet edhe më shqetësuese po të vëmë në dukje se ekipi i Zinedine Zidane nuk goditi qoftë edhe një herë të vetme portën kundërshtare në 90 minuta lojë. Kjo gjë nuk ndodhte prej 10 vitesh. Në këtë dekadë, Reali ka luajtur 578 ndeshje zyrtare dhe në të gjithë këto përballje kishte goditur të paktën një herë në portë.
Edhe pse me një formacion sulmues, ku Zidane aktivizonte për herë të parë treshen Benzema-Bale-Hazard, ndërsa James Rodriguez luante në mesfushë, madrilenët goditën 7 herë jashtë dhe iu anulua një gol i Bale për prekje të topit me dorë.
Humbja ndaj PSG i jep fund edhe një serie pozitive për Realin, që në 12 edicionet e fundit të Champions League gjithmonë e kishte fituar ndeshjen e parë të këtij kompeticioni.