Kryesore Reforma zgjedhore, Gjiknuri: Nëse opozita vjen, rishikoj pozicionin tim në komision

Reforma zgjedhore, Gjiknuri: Nëse opozita vjen, rishikoj pozicionin tim në komision

Deputeti socialist dhe bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka deklaruar se mund të rishikojë pozicionin e tij nëse opozita pranon të marrë pjesë në këtë komision.

Në një prononcim për gazetarët jashtë Parlamentit, Gjiknuri u shpreh se do ta diskutojë me kryetarin e PS mundësinë për largimin e tij nga drejtimi i komisionit të reformës zgjedhore, nëse opozita pranon të marrë pjesë.

“Të them të drejtën mua më duket disi dhe ironike, por pse jo dhe qesharake që gjithë ajo kauzë për ‘Rama ik’ mund të përfundojë në ‘Damian ik’. Nëse opozita jashtëparlamentare e njeh këtë komision të reformës zgjedhore dhe vërtetë shikon qenien time në drejtimin e tij si pengesë, unë mund ta rishikoj pozicionin tim në bashkëbisedim edhe me drejtimin politik të partisë time. Është hera e parë që kushtëzohet interlokutori. Nëse është kushti i vetëm, unë në bashkëbisedim me kryetarin e partisë time mund të shikojmë një zgjidhje”, deklaroi Damian Gjiknuri.

Opozita refuzon të marrë pjesë në Komisionin për Reformën Zgjedhore që drejtohet nga Damian Gjiknuri, duke kërkuar largimin e këtij të fundit.

Damian Gjiknuri ka dalë në përgjimet e dosjes ‘184’ të publikuara nga gazeta gjermane “Bild” për blerjet e votave në qarkun e Dibrës.

Kjo është arsyeja që opozita kërkon largimin e tij nga drejtimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore.