Një prift katolik ka dhënë dorëheqjen, pasi një hetim ndaj tij doli në përfundimin se ai kishte pagëzuar gabim përgjatë 20 viteve të karrierës së tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ati Andres Arango ka përdorur gabim frazën e pagëzimit në mijëra procedura të tilla. Ai thonte “Ne të pagëzojmë në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit të Shenjtë”, ndërsa duhet të përdorte frazën “Unë të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit të Shenjtë”.
Sipas CNN, Peshkopi Thomas Olmsted, i Dioqezës së Feniksit, shpjegoi në një letër të dërguar tek të gjithë pastorët se problemi qëndron te përdorimi i fjalës “NE”, pasi nuk është komuniteti ai që pagëzon një person, por vetëm Krishti. Ky gabim bën që shumë njerëzve i duhet të pagëzohen sërish.
“Më trishton fakti që kam bërë pagëzime të gabuara, duke përdorur rregullisht një formulë të gabuar. Jam penduar jashtë mase për gabimin tim dhe për faktin që ai ka ndikuar shumë njerëz”, shkruan Arango në një letër ndjese.