Extra Shkencëtarët zbulojnë faktorët që mund të kenë ndikuar në zhdukjen e oqeaneve...

Shkencëtarët zbulojnë faktorët që mund të kenë ndikuar në zhdukjen e oqeaneve dhe atmosferës së Marsit

Tiparet e sipërfaqes së Marsit tregojnë ekzistencën e oqeaneve dhe një fushe magnetike mbrojtëse në të kaluarën, megjithëse arsyet e zhdukjes së tyre kanë mbetur të panjohura për shkencën për dekada të tëra. Megjithatë, rezultatet e një studimi të ri të kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Tokios kanë hedhur dritë mbi këtë fenomen, pasi kanë zbuluar faktorët që mund ta kenë sjellë këtë.

Gjatë hetimeve, ekspertët zhvilluan një material prej hekuri, hidrogjeni dhe squfuri, i cili u ngjesh midis dy diamanteve dhe u ngroh me një lazer infra të kuqe, duke rikrijuar kështu kushtet e presionit dhe të temperaturës që vlerësohet se ekzistojnë në bërthamën e Planetit të Kuq. Falë përdorimit të rrezeve X dhe rrezeve elektronike, ata ishin në gjendje të vëzhgonin deri në detaje mënyrën se si shkriheshin elementët e ndryshëm dhe madje dokumentuan ndryshimin në përbërjen e mostrës gjatë asaj kohe.

“U befasuam shumë kur pamë një sjellje të veçantë që mund të shpjegonte shumë gjëra. Fillimisht homogjeni Fe-SH [hekur-squfur-hidrogjen] u nda në dy lëngje hekuri me një nivel kompleksiteti të paparë më parë nën këtë lloj presioni [. ..] Njëri prej tyre ishte i pasur me squfur dhe tjetri me hidrogjen”, shpjegoi Kei Hirose, bashkautor i hulumtimit.

Siç detajojnë akademikët në një artikull të botuar së fundmi në Nature Communications, hekuri i lëngshëm i pasur me hidrogjen dhe i varfër me squfur, duke qenë më pak i dendur, do të ishte ngritur mbi hekurin e lëngshëm më të dendur, të pasur me squfur dhe të varfër me hidrogjen, duke shkaktuar rryma konvencioni, e cila do të krijonte një fushë magnetike të aftë për të mbajtur një atmosferë rreth Marsit, duke lejuar kështu ekzistencën e ujit në gjendje të lëngshme.

Megjithatë, pasi lëngjet e bërthamës u ndanë plotësisht, nuk kishte më rryma për të nxitur një fushë magnetike, duke bërë që hidrogjeni në atmosferën marsiane të hidhej në hapësirë ​​nga era diellore, e cila nga ana tjetër shkaktoi dekompozimin e avullit të ujit dhe përfundimisht avullimin nga oqeanet marsiane.

“Duke pasur parasysh rezultatet tona, shpresohet që studimet e reja rreth Marsit do të verifikojnë nëse bërthama përbëhet me të vërtetë nga shtresa të ndryshme, ashtu siç e parashikuam. Nëse po, do të na ndihmonte të përfundojmë historinë se si u formuan planetët shkëmborë, duke përfshirë Tokën dhe për të shpjeguar përbërjen e tij”, tha Hirose.