Sport Klodiana Shala me doping në “Londër 2012”

Klodiana Shala me doping në “Londër 2012”

Një rast i rrallë dopingu vjen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Pas 8 vitesh, ky komitet ka njoftuar se kryerja e analizave ka nxjerrë pozitive kampionen shqiptare të vrapimit Klodiana Shala pas pjesëmarrjes së saj në Lojërat Olimpike të Londrës 2012.

Sipas njoftimit, Klodiana Shala rezultoi pozitive në ritestimin e anti-dopingut. Ajo rezulton se ka përdorur steroidin stanozolol. Atletja shqiptare nuk garoi në këto gara për shkak të një dëmtimi, edhe pse shkoi në Londër ku mbajti flamurin shqiptar.

Kujtojmë që Klodiana Shala ka marrë pjesë në garën e 400 metrave në Olimpiadat e viteve 2000, 2004 dhe 2008, ndërsa në Olimpiadën e Londër 2012, atletja kuqezi u tërhoq në momentet e fundit për shkak të një dëmtimi.

Bashkë me Shalën ka rezultuar pozitive edhe atletja turke Gulcan Mingir, e cila kishte përdorur turinabol, një tjetër steroid i ndaluar.

Që nga viti 2016, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka vendosur përsëritjen e testeve për Olimpiadat e mëparshme pas skandalit që çoi në pezullimin e atletëve rusë.

Programi ka zbuluar më shumë se 100 raste dopingu vetëm në Lojërat Olimpike të Londrës në garat e vrapimit dhe peshëngritje.