Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka vizituar mëngjesin e sotëm familjen spanjolle e cila u sulmua nga pronari i lokalit një ditë më parë në Porto Palermo.
Në reagimin e tij, Klosi duke cituar kryefamiljarin Galdon, vuri theksin se një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë.
Ministri theksoi se Shqipëria është një vend mikpritës, dhe se ajo ngjarje nuk është aspak panoramë e asaj çka përballen turistët e huaj që zgjedhin të pushojnë në bregdetin shqiptar.
“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve. Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtpërdrejtë të qeverisë”, deklaroi Klosi.