Një auditim 6-mujor i performancës, të cilësisë dhe shërbimeve studentore, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, vë në dukje se vet Ministria e Arsimit, ndoshta pa kuptuar është kthyer në kundërshtare të ligjit për Arsimin e Lartë, raporton Top Chanel nëpërmjet një kronike të transmetuar prej tij.
“Ne mund të sjellim këtu rastin e udhëzimeve të ministrit për pranimet në universitet, VKM-në e propozuar nga ministria përgjegjëse që përcaktonte mënyrën e tarifimit të studentëve mbetës, që përsëri nuk është në tagrin e MASR-së por të vet IAL-ve. Në gjykimin tonë, problem nuk është ligji, por aktet nënligjore që kanë dalë në zbatim të tij, të cilat ose nuk e kanë kuptuar mirë frymën e ligjit, ose duke nxjerrë akte të tilla e vetësaboton ligjin për Arsimin e Lartë”, tha Rinald Muça, drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH.
Nga ana tjetër, edhe institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) janë fajtore, pasi edhe pse ligji u jep atyre autonomi të plotë, sërish qëndrojnë pasive dhe nuk kanë përmbushur rolin e tyre.
“Drejtuesit e këtyre universiteteve, ende nuk kanë përshtatur mendësinë e tyre me atë të ligjit të ri, i cili kërkon një universitet konkurrues në tregun e dijes. Në fakt, nga mënyra sesi kanë operuar nga viti 2015, kur u miratua ligji, e këtej kanë dështuar me sukses për ta krijuar këtë model”, tha më tej Rinald Muça.
Sipas ligjit për Arsimin e Lartë, universitetet janë ato që vendosin tarifat e shkollimit, ndërsa shteti financon me “grant për mësimdhënien”, për zhvillimin e politikave, dhe me “grant shkencor” të gjitha institucionet e arsimit, në varësi të projekteve që këto të fundit propozojnë.
Por, ku shkojnë këto të ardhura?
“Shërbimet që ofrohen nga universitetet, të vlerësuara nga studentët nuk janë në nivelin e duhur, pavarësisht se universitetet shpenzojnë një pjesë të të ardhurave të tyre për to. Pjesën më të madhe e kanë për paga dhe shërbime personeli. Projektet për kërkim shkencor të universiteteve të ndryshme në rang vendi kanë qenë inekzistente, ose kanë raportuar projekte fiktive”, u shpreh Muça.