Presidenti Ilir Meta komentoi këtë të enjte ftesën e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Ai ironizoi veprimin e kryetarit të qeverisë dhe tha se ftesa e tij është e sinqertë “siç ishte ftesa e 17 Majit”.
“Ftesa e Ramës është shumë e sinqertë, si gjithmonë, si 17 maji. Përgjigja ime në parim është kjo: Ka moral, ka legjitimitet çdo koalicion që shpallet para se qytetarët të votojnë. Do të bëjë koalicion PS dhe PD ta shpallin që tani, në mënyrë që të marrin votëbesim plebishitar. Do ta bëjë LSI me PS, ta shpallin që tani. Duan ta bëjnë që të trija, ta shpallin që tani. Duan ta bëjnë që të 12-ta, ta shpallin që tani. Të jenë të sigurt do t’i mundi Boikeni edhe i vetëm”, tha Presidenti.
I pyetur nëse e ka gjetur patronazhistin e tij, në listën me të dhënat e votuesve që ka mbledhur Partia Socialiste, Meta tha: “Ma kanë çuar emrin dhe e përqafoj. Presidentin e kanë në patronazh 500 “fuksa” dhe është shumë i lumtur për këtë gjë”.
“Në Qarkun e Korçës, persona me rekorde kriminale po vjedhin identitetin e qytetarëve”
Presidenti Meta denoncoi se në disa bashki të Qarkut të Korçës janë vjedhur të dhënat e njerëzve të thjeshtë, nga persona me rekorde kriminale.
“Në Qarkun e Korçës, në disa bashki të banuara kryesisht nga minoritarë, disa shtetas me rekorde kriminale, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë pajisur me pasaporta dhe dokumente identifikimi, duke përdorur të dhënat e personave që nuk kanë probleme me ligjin. Pra, shtetas të huaj apo dhe shqiptarë janë pajisur me dokumente të lëshuara nga gjendja civile shqiptare, duke vjedhur identitetin e shtetasve maqedonas. Këta shtetas kanë marrë dokumente edhe në Maqedoninë e Veriut”, tha Meta.
“Çështja është bërë objekt debati publik në Maqedoninë e Veriut. Disa prej personave të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti, janë pajisur me dokumente identifikimi shqiptarë në Korçë dhe Pustec. Në Maqedoninë e Veriut janë arrestuar disa zyrtarë shtetërorë. Vjedhja e identitetit mund të jetë shfrytëzuar në Shqipëri edhe për të votuar disa herë dhe në emër të emigrantëve që nuk mund të vijnë në atdhe për të ushtruar të drejtën e votës. U bëj thirrje të gjithë zyrtarëve shtetërore që të kenë kujdes, të mos përdorin në qendra votimi të vjedhura apo të përdorin dokumente të shtetasve të tjerë”, tha Meta.
“Sot i kam kërkuar prokurorisë dhe KQZ-së që të nisin hetimet për këtë veprimtari kriminale dhe për të ruajtur integritetin e procesit zgjedhor. Çdo funksionar publik të denoncojë çdo rast. Kush falsifikon dhe tenton të prekë votën, do ta ketë vendin në burg”, shtoi Presidenti.