– Pjesa e katërt, pjesën e tretë e lexoni këtu–
Një kujtim tjetër, nga jeta ime në Memaliaj, është edhe koha kur binin sirenat.
Ishte viti 1960. Në zyrën time në ofiçinë, erdhi një oficer.
Nuk e njihja, por mu prezantua:
– Jam Kryetari i Degës Ushtarake në Tepelenë, – më tha. Nuk njihemi bashkë…
Kam ardhur për një kërkesë. – përfundoi ai.
– Edhe unë kam një kërkesë për ju, – i thashë.
– Atëherë fillo ti i pari, – më tha, – po të dëgjoj.
– Dua të më merrni ushtar, – i thashë, – kam 4 vjet që po kërkoj të shkoj në universitet dhe nuk po ma aprovojnë ..
– Do ta shikoj këtë kërkesën tënde, – ma kthehu ai, – por tani, dëgjo t’i kërkesën time.
Besoj se e keni marrë vesh, se marrëdhëniet me sovjetikët, u prishën,
Flota Detare po ikën nga Pashalimani në Vlorë.
Vendi kërcënohet nga ndonjë agresion. – përfundoi oficeri së shprehuri.
– Dhe nga unë çfarë doni?
– Nëse mundeni, të na prodhoni një “Sirenë alarmi”, që të njoftohet gjithë personeli rezerve i ushtrisë, për tu paraqitur sa më shpejt, në repartet e tyre. – u shpreh ai.
– Në nuk kemi prodhuar ndonjëherë një gjë të tillë. Më duhet të bisedoj me mekanikët që kam dhe do të njoftoj sa më shpejt, nëse mund ta bëjmë.
Oficeri më dëgjoi me kujdes dhe pasi mbarova, më tha:
– Besoj se e kuptove rëndësinë që ka prodhimi i saj dhe do pres vendimin që do merrni. Ofiçinë më të mirë në rrethin tonë, se kjo e minierës, nuk kemi! Prandaj erdha tek ju.
– Do bëjmë ç’mos, – i thashë.
Oficeri u ngrit dhe pasi u përshëndetëm, u largua me shpresën se do t’ia realizonim qëllimin.
Mua menjëherë më vajti mendja tek mekaniku më i mirë që kisha dhe ai ishte, Koço Rajdho, i cili, faktikisht, ishte një inxhinier praktik, pa shkollën përkatëse.
E thirra menjëherë, duke i parashtruar të gjitha çfarë biseduam me oficerin dhe rëndësinë e sirenës për situatën.
Gjetëm një revistë dhe u konsultuam. Të nesërmen filluam punimet. Bëmë një disk, si ato të disqeve fluturues të Ufo-ve dhe e vendosëm në një bosht të prodhuar nga tornitorët dhe në periferi të saj, çpuam disa vrima, pak pjerrët. E vendosëm në një trekëndësh me lartësi një metër dhe me një pedale si ato të biçikletave, e rrotullonim ngadalë, për të parë rezultatin.
Kaluan 15 ditë dhe sirena ishte gati. Një mëngjes, u nisa me gjithë sirenën, drejt e në Degën Ushtarake të Tepelenës. E lashë sirenën jashtë dhe u futa në zyrën e oficerit. U ndodha përballë oficerit dhe pasi u përshëndetëm, i thashë:
– Ta ktheva vizitën. Sirenën e ke gati. Oficeri u ngritë dhe nga gëzimi më përqafoi.
Dolëm jashtë dhe po e shikonte sirenën me shumë kujdes..
E provoi pak momentin dhe sirena filloi ulërimën.
Thirri menjëherë dy ushtarë dhe i urdhëroi, që ta merrnin sirenën dhe ta çonin në një fshat, karshi Tepelenës. Ushtarët u nisën menjëherë, për të kryer detyrën që u ngarkuan.
Duke u ndarë me oficerin, dëgjova që të më thoshte:
– Sa të jem unë këtu, ti nuk ke për të ikur ushtar, por duhet të shkosh me studime në universitet.
Erdhi momenti i dhënies së alarmit. Në orën 6.00 të mëngjesit, filloi ulërima e sirenës, sa që u ngrit në këmbë, jo vetëm Tepelena, por edhe Memaliaj. Kjo tregoi se prova doli me sukses. Kaluan kohë dhe unë ende nuk po shkoja me studime të larta, si e tillë, u detyrova të shkoj në Tiranë, pasi desha të takoja Enver Hoxhën. Në fakt, më priti një sekretar i tij. Pas 6 vitesh, me punë dhe banim në Memaliaj, munda të shkoj në universitet.
Pasi mbarova studimet, u emërova me punë në Fier, si inxhinier në Termocentralin e Fierit, i cili ishte ndërtuar nga kinezët dhe ishte më i madhi në Ballkan, për kohën. Paralelisht merrja pjesë dhe në Estradën e Qytetit të Fierit. Në vitet 1972, shkuam turne me shfaqje edhe në Tepelenë. Kishin kaluar rreth 10 vjet dhe oficeri kishte dalë në pension. Më thanë se shkonte për gjah me shokët. I shkova në shtëpi dhe ishte vetëm.
– Nuk besoj se më mbani mend? – i thash.
– Jo, – ma ktheu ai.
– Jam ai djali i sirenës, – i thash.
U ngrit dhe më përqafoi.
– Të solla ca kuti me fishek, pasi më thanë se shkon për gjah.
Ai qeshi… , – dhe ma kthehu: – Nuk mund të të them, sa shumë më gëzove, që erdhe të më takoje. I dhashë dy bileta, që të vinte të shikonte Estradën dhe erdhi.
Si mbaroi shfaqja, më priti dhe u takuam.
– Më pëlqeu shumë! – më tha ai, – dhe do të pres nesër në mëngjes, të pimë kafe këtu, poshtë Pallatit të Kulturës. U takuam të nesërmen dhe ai më falënderonte për gjithçka që kisha bërë. Edhe unë i shpreha mirënjohjen time, duke iu shprehur:
– Pa ndihmën tuaj, sot nuk do takoheshim, pasi nuk më more që nuk më more ushtar dhe për këtë të jam mirënjohës.
Duke patur parasysh këtë burrë, gjithmonë mendojë se bota ka edhe njerëz kaq të edukuar, fisnikë që mendojnë edhe për të mirën e të tjerëve.
Emrin e Kryetarit të Degës, nuk e mbaj mend, por mund ta gjeni duke pyetur në Degën Ushtarake të Tepelenës, se kush ishte në ato vite.
Përgatiti: Edmond Ismailati