Partia Demokratike vendosi pas mbledhjes së Kryesisë që të mbajë një protestë kombëtare. Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se më 11 Shkurt në orën 12:00 do të zhvillohet një protestë kombëtare “të cilën nuk e ka parë vendi ndonjëherë”.
Pas mbledhjes së kryesisë, kryedemokrati u shpreh se Rama ka shpenzuar shuma përrallore për asgjësimin e opozitës.
Berisha u shpreh se ky vendim erdhi pas diskutimit mbi situatën kritike që po kalon vendi duke përmendur këtu rastin McGonigal.
“U diskutua gjerësisht mbi situatën kritike në të cilën po kalon Shqipëria, situatë e pashembullt në ndonjë vend. Çdo shqiptar u njoh me dokumente autentike ndërkombëtare, me angazhimin e Edi Ramës në procesin e asgjësimit të pluralizmit dhe opozitës në Shqipëri. Kryesia e PD-së mendon se sot është jetike, është vendimtare largimi i këtij armiku të egër të opozitës shqiptare nga pushteti. Largimi sa më shpejt i Edi Ramës, i cili prej së paku 6 vitesh ka angazhuar shuma përrallore, ka angazhuar policira sekrete, ka angazhuar dhe korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së. Ka marrë peng ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ka bërë gjithçka për asgjësimin politik të Sali Berishës, me qëllimin e vetëm, shkatërrimin e opozitës së vërtetë në Shqipëri”, tha Berisha.
Kryedemokrati ftoi qytetarët që të marrin pjesë në tubim. Ndër të tjera ai theksoi se “është koha që të flasë opozita, të flasë gjer në largimin e kësaj kalbësire nga pushteti”.
Berisha njoftoi se protesta do të mbahet përpara Kryeministrisë.