Politika A u shantazhua nga ish-zyrtari i FBI-së, McGonigal? Si përgjigjet Ilir Meta

A u shantazhua nga ish-zyrtari i FBI-së, McGonigal? Si përgjigjet Ilir Meta

I ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, teksa u fol për çështjen e zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal, u pyet nëse ai ishte shantazhuar në kohën kur mbante postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Meta nuk e mohoi një gjë të tillë, teksa tha se Rama ka bërë gjithçka për të korruptuar ndërkombëtarët për të shantazhuar zyrtarët e lartë në Shqipëri.

“Nuk është aspak çudi, madje është mëse e vërtetë që Rama gjithmonë në tentativat e tij për të korruptuar zyrtarët e lartë gjithmonë ka pasur si target Ilir Metën, duke e ditur se Ilir Meta është një person që as mund të korruptohet, as mund të shantazhohet nga Edi Rama. Ai gjithmonë ka korruptuar ndërkombëtarë në përpjekje për të dëmtuar Ilir Metën. Të gjithë e dinë se kjo kurrë nuk ka funksionuar për arsye se Meta është kristal me ligjin dhe kushtetutën. Kjo është edhe një çështje personaliteti dhe karakteri.

Edi Rama ka bërë gjithçka për të korruptuar zyrtarët e huaj jo vetëm kundër Presidentit të Republikës”, tha Meta.

Meta: Bashkëpunim i shkëlqyer me PD në bazë, Rama nuk na përçan dot

Opozita është duke ecur paralelisht për zgjedhjet lokale të 14 majit dhe mbajtjen e protestave. Këto dy çështje kane qenë edhe ne thelb te diskutimit që Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pati me Sali Berishën në zyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike një ditë më parë.

Meta u shpreh se bashkëpunimi në bazë është i shkëlqyer me Partinë Demokratike. Pavarësisht se janë vetëm 4 kandidatë nga Partia e Lirisë për zgjedhjet lokale të 14 majit, Meta theksoi se i konsideron si të tijtë të gjithë kandidatët e opozitës, nga Tropoja në Sarandë.

“Lufta kundër kapjes së shtetit, lufta kundër korrupsionit dhe lufta për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, na bashkon me Berishën dhe Partinë Demokratike, opozitarët dhe qytetarët e ndershëm. Çështjet e tjera janë pa rëndësi. Raporti ynë në këto çështje është shumë solid.

Unë besoj që të gjithë ata që janë në opozitë me këtë regjim dhe të gjithë ata që duan ndryshimin, përfshirë edhe socialistët e ndershëm, është një frymë shumë pozitive e bashkëpunimit dhe është detyra jonë të përçojmë frymën e bashkëpunimit që të rikthehet llogaridhënia dhe demokracia. Pa asnjë diskutim, ka një frymë shumë pozitive sa i takon bashkëpunimit dhe kjo do të vijë në rritje pavarësisht përpjekjeve të Ramës.

Ne i konsiderojmë kandidatët tanë të Partisë së Lirisë të gjithë kandidatët nga Tropoja deri në Sarandë. Në totalin e tyre janë vetëm 4 kandidatë nga Partia e Lirisë, të cilët janë përzgjedhur sipas procesit të primareve. Por ne konsiderojmë kandidatët tanë si Partie e Lirisë që nga Tropoja e Shkodra, deri në Gjirokastër e Sarandë”, tha Meta në Debat nga Alba Alishani.