33.5 kilogramë kokainë u sekuestrua mbrëmjen e së enjtes në Portin e Durrësit. Droga u gjet e fshehur në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori, për llogari të një kompanie në Tiranë.
Mëngjesin e kësaj të premteje, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 3 personave. Në pranga ra administratori i kompanisë pritëse, si dhe dy punonjës të skanerit në Portin e Durrësit.
“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për zbardhjen e rastit të trafikimit të 33.5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, gjatë operacionit policor të koduar “Again”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. D., 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”; A. N., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë operator skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”; A. S., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.”
Po ashtu, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim presidentin e kompanisë pritëse të ngarkesës me banane.
“Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi T. M., 53 vjeç, banues në Tiranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij”.
Në njoftimin e saj policia sqaron se “arrestimi i 3 shtetasve dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, gjatë të cilit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontejner me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxori të pastër ngarkesën me banane”.
Nga hetimet, shton më tej policia, dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.
Aktualisht, autoritetet vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.