Gjykata e Apelit për Krime të Rënda lë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ardian Begën, oficerin e sigurisë së Portit të Durrësit, i dyshuar si i përfshirë në trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri, por që në portin e Pireut në Greqi, droga u zëvendësua me oriz.
Bega është kapur nga kamerat e sigurisë duke u afruar për të marrë pakot me kokainë të fshehura në dy kontejnerë. Ai u arrestua nga Policia bashkë me Altin Myslihakën kur, ndërsa po largoheshin me atë që mendonin se ishte kokainë, zbuluan se në fakt ishte zëvendësuar me oriz dhe nisën të hidhnin pakot në rrugë.
Operacioni për kapjen e tyre dhe të lëndës narkotike përfshiu autoritetet greke por edhe DEA-n amerikane. Për ngjarjen, është shpallur në kërkim edhe Gentian Malindi, por sipas Policisë shqiptare dyshohet se janë të përfshirë edhe persona të tjerë.