Koço Kokëdhima ka akuzuar Lulzim Bashën, se i ka vjedhur idenë për “qeveri tranzitore”.
“Opozita formale e Lulzim Bashës kërkon nga kryeministri Rama një “Qeveri tranzitore”.
Që në krye duhet sqaruar se kërkesa është formuluar fillimisht nga Partia “Zgjidhja” në Tryezën e Partive për Zgjedhje të Lira dhe jo me qëllimet që ka Basha, por për të realizuar një reformë elektorale të vërtetë.
Arsyen përse Lulzim Basha në “plagjiaturë” politike, do ta kuptojmë më poshtë.
Kur Lulzim Basha e futi opozitën në çadrat poshtë dritareve të zyrës së Edi Ramës, kopjoi tezën e Partisë Zgjidhja mbi “Republikën e qytetarëve” për t’i dhënë legjitimitet sovranit të zgjedhë me votën e tij.
Ne ishim parti e re dhe e trajtuam me modesti këtë ngjarje. Menduam, shumë mirë që një opozitë përqafon tezat tona për ndryshimin e sistemit politik dhe, kështu do të bëhet më e lehtë arritja e qëllimit.
Ishte e papritur për ne, që Lulzim Basha merrte përsipër të artikulonte parrullat tona, sepse e dinim kë përfaqëson. Partia e tij, në 26 maj 1996, bëri vjedhjen masive të votave, në të njëjtën kohë që PS bojkotoi zgjedhjet”, shkruan Kokëdhima.
“Ky njeri nuk mund të besohet, sepse në 2017 na tha që do të ndryshonte këtë sistem dhe sidomos shprehej kundër listave të mbyllura të kryetarëve të partive. Në realitet i bëri listat e partisë së tij brenda natës dhe i dorëzoi në minutën e fundit në KQZ.
Në mungesë të reformës, sërish kandidatët për bashkitë dhe këshillat do të jenë të emëruar, jo të zgjedhur. Pra, si ta besojmë se ky njeri e ka seriozisht sot? Në vitin 2017, Basha dhe Rama bën pakt të fshehtë kundër partive të tjera.
Ata e bënë marrëveshjen larg syrit të ndërkombëtarëve (McAllister nuk e kuptoi dot kurrë se si ai nuk arriti t’i bindte këta dy liderë të uleshin në bisedime dhe pas largimit të tij, këta u takuan dhe bënë një marrëveshje të pashpallur).
Si ta kuptojmë sot Bashën që kundërshton ndërkombëtarët për bërjen e reformës zgjedhore dhe deklarohet për “qeveri tranzitore”.