Politika Kolegji vendos pro “Bindjes Demokratike”, Patozi: Kapërcyem stërkëmbëshin e fundit të Bashës

Kolegji vendos pro “Bindjes Demokratike”, Patozi: Kapërcyem stërkëmbëshin e fundit të Bashës

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot anikimimin e depozituar nga Partia Bashkimi Demokrat kundër vendimit të KQZ, për regjistrimin në zgjedhje të ‘Bindjes Demokratike’, të Astrit Patozit.

Aleatja e Partisë Demokratike kërkoi nga Kolegji Zgjedhor që të çregjistronte partinë e Patozit, për shkak se KQZ e kishte përfshirë atë si forcë garuese në zgjedhje në kundërshtim me ligjin.

Sipas partisë Bashkimi Demokrat, ‘Bindja Demokratike’ është regjistruar në 25 prill në gjykatë dhe pasi vendimi të merrte formë të prerë, duhej të regjistrohej në regjistrin e partive dhe pastaj vërtetimi i gjykatës do ishte i vlefshëm për t’u regjistruar në KQZ.

Ndërkohë që sot Kolegji Zgjedhor vendosi të rrëzoi kërkesën e Partisë Bashkimi Demokrat, me argumentin se nuk legjitimohet si forcë politike për të bërë këtë ankimim.

Me këtë vendim të Kolegjit, Partia Bindje Demokratike do të garojë zyrtarisht në zgjedhjet e 30 qershorit.

Pas këtij vendimi, kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi e ka quajtur si fitoren e betejës së parë politike.

Ai ka thënë se çregjistrimin ishte një kërkesë absurde, madje vendimin e Kolegjit e quajti si kapërcim të “stërkëmbëshit të fundit të atyre”.

Reagimi i Patozit

“BINDJA DEMOKRATIKE FITON BETEJËN E PARË POLITIKE

(Pas rrëzimit të padisë absurde për çregjistrimin e partisë sonë nga gara për zgjedhjet e 30 qershorit)

BINDJA DEMOKRATIKE kapërceu sot edhe stërkëmbëshin e fundit të atyre, që i trembeshin më shumë pranisë së saj, se sa mungesës së tyre në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Tanimë, jemi tërësisht të fokusuar tek gara për të treguar se jemi realisht fryma e re dhe shpresa e vetme për ndryshim në këtë vend.

Keqardhje për ata që u përpoqën më kot të na pengonin në të drejtën tonë për t’u ofruar shqiptarëve një projekt të ri politik, krejtësisht të ndryshëm nga “Rilindja” e korruptuar dhe nga opozita e dëshpëruar, e cila paralajmëron përplasje civile për të mbuluar vetëvrasjen e vet politike.

BINDJA DEMOKRATIKE po vjen si ortek vullnetesh shpërthyese shqiptarësh të lirë, të cilët nuk e kanë humbur besimin se ky vend mund të bëhet prej nesh vetë. Zoti e bekoftë BINDJEN e qeverive dhe të politikanëve ndaj popullit!”