Në 102-vjetorin e vdekjes,në Kolesjan (Kukës) u përkujtua një prej patriotëve, luftëtarëve, udhëheqësve dhe organizatorëve kryesorë të qëndresës shqiptare kundër pushtimit serb dhe luftës për pavarësi, atdhetari i shquar Sali Spahia. Të pranishëm në ceremoninë përkujtimore, e cila përkon dhe me 107 vjetorine betejës historike të Lumës, dhe nderimit të një prej udhëheqësve kryesorë të kësaj beteje dhe luftës për pavarësi, Sali Spahisë, përveç pasardhësve dhe të afërmve të tij, ishin të pranishëm dhe historianë, personalitete dhe figura të rëndësishme të zonës së Lumës dhe krahinave të tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës. Beteja e Lumës, u zhvillua në 15-18 nëntor të vitit 1912 dhe zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe luftës për pavarësi dhe një prej figurave kryesore të kësaj lëvizjeje ishte dhe atdhetari Sali Spahia.
Në përvjetorin e 102-të tëvdekjes së tij, në ceremoninë përkujtimore të Sali Spahisë të pranishëm ishin dhe pasardhësit e Nezir Spahisë (djalit të Sali Spahisë), Ylli dhe Korap Spahia, të larguar nga Shqipëria në vitin 1948 dheaktualisht me banim në Francë, të cilët ishin dhe organizatorët kryesor të këtij aktiviteti dhe restaurimit të varrit të Sali Spahisë, bashkëshortja e Korabit, francezo-shqiptarja SylviaSpahia dhepasardhës të tjerë të patriotit.
Për betejën e Lumës foli historiani. Prof. Dr. Shefqet Hoxha, një nga studiuesit më të rëndësishëm të historisë së krahinës së Lumës dhe më gjerë, i cili ndër të tjera evidentoi dhe kontributin e rëndëishëm të Sali Sapahisë si një nga udhëheqësit kryesorë të kësaj beteje. “Sot përkujtojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së luftës për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar, betejën e Lumës të vitit 1912 dhe njërin prej udhëheqësve historikë të saj, Sali Spahinësi dhe mbi 200 të rënët që skuqen me gjakun e tyre luginën e dy drinave nga qafa e Kolesjanit deri nëzonat e Prizrenit. Duke nderuar këtë betejë dhe krerët që i prinë asaj nga kjo qafë dy herë legjendare; njëra në shtatorin e vitit 1909 kundër taboreve të Xhavit Pashës dhe e dyta ajo e nëntorit të vitit 1912 kundër hordhive serbe të gjeneralit Jankoviç, ne nderojmë dhe kontributet e bijve të këtyre maleve për pavarësinë kombëtare”, theksoi Prof. Dr. Shefqet Hoxha.
Beteja e Lumës është një prej ngjarjeve më të rëndësishme historike dhe për të janë kënduar këngë. Kjo ngjarje është përkujtuar brez pas brezi dhe emri i Sali Spahisë është nderuar ndër breza nga banorët e krahinës së Lumës dhe zonave të tjera përreth. Kontributi dhe veprimtaria e patriotike e Sali Spahisëështë vlerësuar dhe nga figura të shquara të kohës. Shkëlqim Spahiu, pasardhës i patriotit, në fjalën e tij përshëndetëse ndërsa falenderoi të pranishmit, u ndal tek vlerësimi që i është bërë figurës së Sali Spahisë nga bashkëkohësit e tij. Sipas tij, ndonëse “në periudhën komuniste emri i Sali Spahisë nuk u përmend asnjëherë, ndërsa roli dhe kontributi i Islam Spahisë u minimizua, kjo për shkak se të gjithë pasardhësit e Sali Spahisë dolën hapur kundër regjimit komunist, e vërteta, faktet historike dhe aq më tepër transmetimi brez pas brezi i kontributit të atdhetarit Sali Spahija nuk mund të zhbëhej dhe emri dhe vepra e tij nuk do harrohej kurrë”.
Sipas tij, për Sali Spahinë janë gjetur shumë dokumenta arkivorë që pasqyrojnë veprimtarinë e tij patriotike, gjithashtu aktiviteti atdhetar i Sali Spahisë është pasqyruar më se miri edhe në librat dhe shkrimet e Tahir Kolgjinit, Shaban Brahës, Tafil Boletinit etj,. Ai citoi dhe një pjesë nga fjala e mbajtur nga Deputeti i Dibrës dhe anëtar i Kongresit të Lushnjës Ramiz Daci, ditën e varrimit të Sali Spahisë, fjalë e cila është botuar në “Posta e Shqipnisë”, Shkodër 1917, i cili vlerësonte figurën dhe kontributin e Sali Spahisë më këto fjalë: “… Vdiq i flakti atdhetar, Sali Spahia, ky i djerë asht mundue ditë e natë për shpëtimin e atdheut. Vdekja e këtij atdhetari asht humbje, jo vetëm për familjen, për Lumën, por për gjithë Shqipninë. Lumjanë ! Kjani për Sali Spahinë, se ju hupët nji vëlla, Shqipnia nji atdhetar, po mos kujto o Sali Spahia se ti hupe, emni yt nuk harrohet kurrë, se asht ndër emnat ma të shquem të historisë kombëtare…”.
Për përshkrimin e jetës dhe veprës së Sali Spahisë, ka shkruar dhe një nga bashkëkohësit e tij, Mati Logoreci, arsimtar, publicist, intelektual i njohur shqiptar dhe një nga zbatuesit e parë të synimeve arsimore të Rilindjes Kombëtare për një shkollë kombëtare dhe laike, si dhe themelues dhe mësues i parë, i shkollës së parë shqipe të hapur në Kosovë dhe pikërisht në Prizren në vitin 1889. Mati Logoresi ka përfaqësuar shoqërinë “Agimi” së bashku me Ndre Mjedën në Kongresin që u mbajt në Manastir nga data 14-22 Nëntor 1908, për standartizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.Ai ka qenë shok dhe bashkëpunëtor i At Gjergj Fishtës, Hilë Mosit, Luigj Gurakuqit dhe Aleksandër Xhuvanit.
“…Në rini muer prej prindësh një edukatë t’ashpër, prej së cilës rrodhën guximi, trimëria, pastërtia morale, mëshira, drejtënia, burrënia e karakteri i fortë i tij. Mësimet e para i bani në shkollën e katundit të vet, në Kolesjan, mandej i zgjanoi me studimet e bame në Prizren e në Selanik, duke zotnue fare mirë tyrqishten, e tue fitue edhe njohuritë e para t’arabishtes e të persishtes. Porse ç’ka ma tepër e shquente prej kujdo nuk ishin studimet e bame, por gjykimi i fortë i tij, squesia natyrore e jashtëzakonshme, zotsija oratore e fjala e peshueme e me vend. Me të tjera fjalë, Sali Spahiu ishe burrë fjalet, nderet, beset, drejtësijet e karakterit të pathyeshëm. Këto cilësi të rralla të brumëzueme, të konkretizueme e të harmonizueme në personin e tij e ngrijshin në naltsinë e burrave më të shquem të maleve kreshnike të Shqipnis…”, shkruan Mati Logoreci në gazetën “Drita” në vitin 1937, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Sali Spahisë.
Duke lartësuar figurën dhe kontributin e tij patriotik, Logoreci shkruan në artikull: “…Në fillim, sa ishte i ri, muer pjesë në çdo lëvizje, krah për krah, me axhën e vet, veteranin plak Islam Spahiun. Më vonë në luftrat e zhvillueme në Qafën historike të Kolesjanit, Qafë që në vërtetësinë e fjalës, mund të krahasohet me atë të Thermopylës, u shque jo si nji individ, si një ushtar vullnetar i thjeshtë, por si një udhëheqës i fuqive malësore”…
Në emër të shoqatës Luma, të pranishmit i përshendeti kryetari i saj, Prof. Dritan Spahia, njëkohësisht nip i patriotit Islam Spahia (xhaxhai i Sali Spahisë), i cili në fjalën e tij vlerësori kontributin e organizatorëve për organizimin e tubimit dhe restaurimin e varrit të patriotit Sali Spahia si dhe për vlerësimin e figurave patriotike të zonës Lumës.
Beteja e Lumës është beteja e fundit e shqiptarëve kundër ushtrisë serbe në vitin 1912 dhe e fundit si betejë që është zhvilluar në Lumë. Lumjanët dhe pjesa veriore e Dibrës (Reç e Dardhë) zunë qafën Kolesjanit dhe prej aty i sulmuan forcat serbe, i thyen dhe i ndoqën në Kullë të Lumës e deri në portat e Prizrenit. Për numrin e forcave serbe pjesmarrëse dhe të vrarët e tyre ka pasur në shumë nga botimet e mëparshme shifra të fryra, ashtu si dhe në pllakat e lapidarëve të ngritura për të që thuhet se kanë qenë 12 mijë, 16 mijë apo 18 mijë të vrarë.
Për kontributin e tij të shquar në organizimin e qëndresës dhe luftës për çlirimin dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare, Sali Spahia është varrosur pranë shkollës së parë shqipe të krahinës (për të cilën kanë dhënë një kontribut të veçantë Islam dhe Sali Spahia dhe Riza Spahia, mësuesi i parë i kësaj shkolle) dhe xhamisë të Kolesjanit, në vitin 1917, atë vit që u nda nga jeta. Sali Spahia lindi në vitin 1978 dhe vdiq në vitin 1917 në një moshë shumë të re. Ndarje e tij nga jeta trishtoi mbarë popullin e Lumës dhe krahinave të tjera përreth. Sali Spahia është dekoruar në vitin 1993, për veprimtarinë e tij patriotike me motivacionin; “Luftëtar dhe propagantues për clirimin dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare brenda e jashtë kufijve politikë të vitit 1913”.