Kombëtarja Shqiptare e Futbollit të femrave arrin të marrë “hakun” ndaj Sllovenisë në ndeshjen e dytë miqësore të luajtur brenda pak ditëve.
Në stadiumin “Selman Stërmasi”, vajzat e drejtuara nga Armir Grima e fituan këtë sfidë me rezultatin e ngushtë 1-0.
Kombëtarja shqiptare e gjeti shumë shpejt golin në këtë përballje kur në minutën e 6 të saj Megi Doçi shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Rezultati nuk ndryshoi as në pjesën e dytë pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave. Në ndeshjen që Shqipëria dhe Sllovenia zhvilluan përpara 3 ditësh në Elbasan Arena, ishte skuadra mike që iu imponua ndaj vajzave kuqezi me rezultatin 2-0.