Kryesore Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë

Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë

Komisioni Europian vlerëson me tone tejet pozitive progresin e shënuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në procesin e reformave dhe rikonfirmon rekomandimin për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Në progres-raportin e publikuar të hënën thuhet se dy vendet kanë shtuar përpjekjet dhe kanë prodhuar rezultate të mëtejshme në fushat kyçe.

“Në vazhdën e progresit të rëndësishëm dhe përmbushjes së kushteve të vendosura unanimisht nga Këshillit Europian në qershor të vitit 2018, Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka shtuar përpjekjet dhe ka prodhuar rezultate të mëtejshme në fushat kyçe. Prandaj, baza që çoi në rekomandimet e Komisionit në vitin 2019 mbetet e vlefshme”, theksohet në progres raportin i Komisionit Europian.

Komisioni Europian konstaton përmirësim të mëtejshëm në procesin e vetting-ut të gjykatësve dhe prokurorëve, në veçanti në përfundimin e të gjitha dosjeve prioritare. Vlerësohet progresi në luftën kundër korrupsionit, kultivimit dhe trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Por në raport përmendet gjithashtu progres sa i përket shqetësimeve të ngritura nga Franca e Holanda, si ajo e azilantëve dhe krimit të organizuar; çështje këto që u përdorën si argument nga këto dy vende për bllokimin e zgjerimi në tetor 2019.

“Shqipëria ka vijuar përpjekjet për të luftuar aplikimet e pabaza për azil nga shtetasit shqiptarë për në zonën Shengen. Duke krahasuar të dhënat deri në nëntor të vitit 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, fluksi ka qenë 17% më i ulët”, theksohet në progres raportin i Komisionit Europian.

Komisioni Europian nuk i përmend zgjedhjet e 30 qershorit, duke e vënë theksin tek zhvillimi pozitiv i uljes së qeverisë dhe opozitës në tryezë. Një deklaratë e tillë e Komisionit Europian e ndërthurur me metodologjinë e re të negociatave të anëtarësimit, heq të gjitha pengesat për dhënien e dritës jeshile ndaj Shkupit dhe Tiranës. Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili bllokoi vendimin pozitiv në samitin e mbajtur në tetor të vitit 2019, ka thënë së fundmi se do të hiqte veton nëse rezultatet e progres raportit të Komisionit Europian do të ishin pozitive.