Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për hetimin e sulmit të 6 janarit në Kapitol, zhvilloi seancën e fundit publike dhe i rekomandoi Departamentit të Drejtësisë ngritjen e akuzave penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump.
Ligjvënësit kanë sugjeruar që zoti Trump të akuzohet për komplot me synimin për të penguar funksionin e ligjshëm të qeverisë amerikane, përpjekje për të ndërprerë seancat zyrtare të Kongresit, komplot për dëshmi të rreme dhe kryengritje.
Drejtuesi i Komisionit, demokrati Bennie Thompson, tha se “gjetjet e komisionit mund të shërbejnë si një udhërrëfyes i mirë për drejtësinë”.
Sipas tij, zoti Trump e dinte se i humbi zgjedhjet e vitit 2020, por ai zgjodhi të qëndronte në zyrë duke bërë një seri përpjekjesh për të bllokuar transferimin e pushtetit.
Në këtë mbledhje, Komisioni bëri publike edhe prova të reja, duke përfshirë intervistën me këshilltaren e zotit Trump, për një kohë të gjatë, Hope Hicks. Gjatë dëshmisë së saj zonja Hicks tha se zoti Trump i kishte thënë asaj, se “askush nuk do shqetësohej për legjitimitetin e tij nëse ai humbiste zgjedhjet dhe se e vetmja gjë që kishte rëndësi, ishte që ai të fitonte”.
Krahas akuzave ndaj ish-presidentit, komisioni i përbërë nga 7 demokratë dhe dy republikanë, rekomandoi ngritjen e akuzave për shkelje të ligjeve të etikës për 5 ligjvënës republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve.
Komisioni i 6 janarit nuk ka fuqi ligjore, ndaj rekomandimi për ndjekjen penale shënon vetëm një akt simbolik, pasi për ngritjen e akuzave vendos Departamenti i Drejtësisë.
Komisioni do të shkrihet në 3 janar, kur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve e marrin republikanët.
Që nga ngritja e tij në korrik të vitit 2021, komisioni ka intervistuar më shumë se 1 mijë persona, ka zhvilluar 10 seanca dëgjimore publike dhe ka administruar më shumë se 1 milionë dokumente.
Mbledhja e një numri të madh provash, ka nxitur anëtarët e komisionit të deklarojnë se zoti Trump duhet të fajësohet për sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit të kryer nga mbështetës të tij rreth dy vite më parë.
Raporti final i komisionit pritet të shpërndahet pas disa ditësh dhe ai do të përmbajë intervistat e zbardhura dhe rekomandime ligjore.
Edhe pse nuk kanë fuqi ligjore, rekomandimet e komisionit do të shtonin trysninë politike ndaj Prokurorit të Përgjitshëm Merrick Garland dhe Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, që po zhvillojnë hetime mbi mënyrën e trajtimit të dokumenteve qeveritare, nga ana e ish-presidentit, pas largimit nga detyra në janar të vitit 2021.
Zoti Smith u emërua në nëntor si prokuror i posaçëm me përgjegjësinë e mbikëqyrjes së hetimeve për posedimin e dokumentave të klasifikuara nga ish-presidenti në rezidencën e tij në Mara-Lago në Florida, si dhe disa aspekte të hetimit lidhur me përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, të fituara nga demokrati Joe Biden.