Aktualitet Mediat greke: Vrasja e dyfishtë në Athinë e lidhur me ekzekutimin e...

Mediat greke: Vrasja e dyfishtë në Athinë e lidhur me ekzekutimin e biznesmenit në Tiranë

Mediat greke hedhin dyshime se vrasja e dy shqiptarëve mbrëmjen e së dielës në Athinë të jetë e lidhur me ekzekutimin e biznesmenit nga Saranda, Edmond Papa, javën e kaluar në Tiranë. Lajmin e raporton newsit.gr që citon burime të saj pranë policisë helene.

Sipas të njëjtave burime shënjestër e atentatit në Nea Smyrni ishte 41-vjeçari Kreshnik Çerçizaj. Ai mori disa plumba në kokë dhe ndërroi jetë menjëherë. Viktima ka qenë i njohur për policinë greke edhe në të kaluarën. Ai ka qenë i dënuar për kontrabandë, trafik droge dhe grabitje.

Në foto nga e majta: Armando Orgenja dhe Kreshnik Çerçizaj

Mediat greke thonë se edhe Edmond Papa, pronar i një hoteli në Sarandë ka qenë i dënuar në Greqi për trafik droge. 49-vjeçari mori disa plumba duke qëndruar në një lokal pranë banesës së tij. Ai u transportua në spital, por nuk mundi të mbijetojë. Gazeta thotë se ka mundësi që viktimat të jenë anëtarë të së njëjtit rrjet droge dhe të jenë ekzekutuar nga shqiptarë të tjerë.

“Duhet theksuar se në Shqipëri ka shpërthyer një “luftë” mes karteleve të drogës, pas zhdukjes së një ngarkese prej 700 kilogramësh kanabis. Për këtë ngarkesë ka qenë përgjegjës biznesmeni i vrarë në Tiranë”, shkruan gazeta greke.

Edmond Papa

Viktima tjetër e atentatit të Athinës është 44-vjeçari Armando Organja nga Berati. Autori përshkruhet si vrasës profesionist. Ai shtiu 7 plumba në 4 sekonda dhe më pas humbi gjurmët.

Kreshnik Çerçizaj njihej edhe me nofkën “Koleksionisti” pasi ofronte mbrojtje ndaj restoranteve dhe klubeve të natës në zonë. Më parë ka qenë i dënuar edhe në Shqipëri për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Edhe 44-vjeçari Organja kërkohej nga policia për trafik droge.

Si pasojë e të shtënave mbeti e plagosur edhe një grua greke 35-vjeçare. Ajo ishte ulur në një tavolinë ngjitur dhe nuk kishte lidhje me viktimat. Një qytetar tjetër mori lëndime në përpjekje për t’u larguar. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në bizneset ngjitur policia ka zbuluar se autori ka qëndruar i fshehur në një lulishte aty pranë dhe ka pritur momentin për të kryer atentatin.

Nisur nga aktiviteti i errët i viktimave, hetuesit grek dyshojnë se motivet e kësaj ngjarje të rëndë janë larjet e hesapeve mes bandave.