Politika Komisioni i Rithemelimit ndryshe nga Basha: 6 Marsi, test politik

Komisioni i Rithemelimit ndryshe nga Basha: 6 Marsi, test politik

Ndryshe nga Lulzim Basha, për Komisionin e Rithemelimit në Partinë Demokratike zgjedhjet e pjesshme vendore janë një test politik.

“6 marsi është test politik siç janë çdo palë zgjedhje dhe duhet të ishte test politik për Bashën që në 2019 që i iku atij testi politik. Një test politik ku ne shkojmë për të fituar”.

Deputeti Oerd Bylykbashi thotë se përmes procesit të primareve synohet përzgjedhja e kandidatëve më të mirë që garantojnë fitoren e demokratëve në të 6 bashkitë.

Bylykbashi thotë se pjesë e primareve janë bërë figura politike me një peshë ndër vite, duke e cilësuar këto proces të nisur nga Komisioni i Rithemelimit garë të barabartë në radhët e demokratëve.

Bylykbashi pranoi mundësinë e krijimit të një formacioni të gjerë opozitar, proces që sipas tij po shkon paralelisht me atë të vlerësimit të emrave të propozuar.

“Po diskutohet me aleatët për koalicion, i cili është instrument juridik në garë. Por ajo që ka rëndësi ka instrumenti politik. Pas 7 vitesh ne garojmë për një votim maxhoritar për kryetar bashkie”

Komisioni i Rithemelimit ka paralajmëruar daljen me një sigël koalicioni në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit, ku pjesë e marrëveshjes për daljen me një front të gjerë opozitar krahas partive aleate tradicionale do të jetë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.