Bota Konferenca e Donatorëve mbledh 6,5 miliardë dollarë për Ukrainën

Konferenca e Donatorëve mbledh 6,5 miliardë dollarë për Ukrainën

Konferenca e Donatorëve e mbajtur në Varshavë ka mbledhur rreth 6,5 miliardë dollarë për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës, në mënyrë që të përballet me pasojat ekonomike dhe humanitare të pushtimit rus.

Shifrën e bëri të ditur kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki pas përfundimit të Konferencës, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Konferenca u organizua nga Polonia dhe Suedia, në bashkëpunim me Presidentët e Komisionit Europian dhe Këshillit Europian.

Vende si Franca, Finlanda, Republika Çeke, Kroacia dhe të tjera premtuan miliona euro për të mbështetur përpjekjet humanitare dhe ushtarake në Ukrainë.

Komisioni Europian gjithashtu premtoi 200 milionë euro ndihmë për personat e zhvendosur në Ukrainë.

Ukraina ka marrë më shumë se 12 miliardë dollarë ndihma në armë dhe ndihmë financiare që nga prej fillimit të pushtimit rus më 24 shkurt, sipas kryeministrit të vendit, Denys Shmyhal.

Ndërsa, Shqipëria dhuroi 1 milion euro ndihmë për Ukrainën në Konferencën e Donatorëve. Kryeministri Edi Rama u shpreh mirënjohës për praninë e vendit tonë në këtë Konferencë, edhe pse siç tha, është i vetëdijshëm për kontributin tonë modest.