Kryeministri Edi Rama duke komentuar mbi konferencën e donatorëve që do të mbahet të hënën në Bruksel, tha se sipas pritshmërive të tij, nuk do të përmbushen të gjitha nevojat që duhen për të përballuar dëmet nga tërmeti.
E megjithatë, shefi i qeverisë shqiptare theksoi se fondet që do të mblidhen do të jenë të dobishme.
“Në raport me konferencën e donatorëve kam një pritshmëri të caktuar, e cila do të thotë që nuk bëhet fjalë për të arritur të përmbushim të gjitha nevojat, por sidoqoftë mbetemi në një nivel që sado modest, të mund të ketë një peshë në proces. Nëse realizojmë këtë, ne do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë përtej kësaj ne do të jemi të lumtur”, u shpreh Rama.
Këto komente, kryeministri i bëri në përfundim të vizitës së tij në dy ditore Gjermani ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Konferenca e Donatorëve për mbledhjen e fondeve për të përballuar dëmet e shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntorit në vendin tonë, do të mbahet më 17 Shkurt në Bruksel.