Ritestimet e kryera te stafit dhe futbollistët e Genoas kanë konfirmuar sërish 14 perona pozitivë ndaj koronavirusit dhe drejtuesit e klubit kuqeblu kanë kërkuar shtyrjen e ndeshjes me Torinon, e planifikuar për t’u luajtur të shtunën në mbrëmje.
Ka qenë vetë presidenti Enrico Preziosi, që nëpërmjet një deklarate për mediat italiane, ka theksuar se nëse ndeshja nuk shtyhet, atëherë Genoa do të përfaqësohet me të rinjtë dhe se kjo do të cënonte garën.
“Kemi zbatuar rregullat e protokollit me përpikëri maksimale dhe nuk e di pse u prekëm kaq keq. Nuk ka kuptim që të shtunën të zbresim në fushë ndaj Torinos. Nuk kemi në dispozicion plot 10 futbollistë dhe nëse na detyrojnë të luajmë, do të paraqitemi me të rinjtë, por kjo cënon rëndë garën”, tha bosi i klubit ligur.
I të njëjtës linjë me Preziosin ka qenë edhe Drejtori Sportiv i Genoas, Roberto Faggiano, i cili theksoi se të gjithë te klubi kuqeblu janë në karantinë tashmë dhe se nuk ka kuptim që të zbresin në fushë të shtunën në mbrëmje.
“Pas këtyre rasteve të shumta, ne jemi vendosur të gjithë në karantinë dhe nuk po stërvitemi. Ndoshta kampionati nuk mund të ndërpritet, por ndeshja jonë ndaj Torinos nuk ka kuptim që të luhet. Në fund të fundit, kush do shkojë të luajë atje, pasi një pjese të mirë të futbollistëve dhe stafit nuk u lejohet të shkojnë”, u shpreh Faggiano.
Asnjë i infektuar te Napoli
Lajme të mira nga klubi i Napolit, pasi në testet e para që kanë kryer futbollistët dhe stafi teknik, asnjëri nuk ka rezultuar i prekur nga koronavirusi.
Klubi i kaltër u përball me Genoan të dielën pasdite dhe fitoi me rezultatin e thellë 6-0, por të nesërmen klubi ligur konfirmoi se plot 8 futbollistë dhe 4 anëtarë të stafit teknik kanë rezultuar pozitivë.
Frika ishte e madhe se mos edhe futbollistët e Napolit ishin infektuar nga koronavirusi, ndaj u kryen testet mjekësore për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik, ndërsa sot klubi ka konfirmuar se të gjithë kanë rezultuar negativë.
Nesër pritet që të gjithë t’i nënshtrohen edhe një testi të dytë, për të qenë 100% të sigurt për gjendjen e futbollistëve para ndeshjes së rëndësishme të të dielës, përballë Juventusit në “Allianz Stadium”.
Me këto përgjigje, duket se bie përfundimisht hipoteza e ndërprerjes së përkohshme të kampionatit italian, ndërsa i vetmi opsion që pritet të diskutohet, është ai i shtyrjes së ndeshjes mes Genoas e Torinos, e planifikuar për të shtunën.
Kjo pasi klubi ligur ka plot 10 futbollistë dhe 4 anëtarë të stafit teknik të prekur nga koronavirusi dhe që janë vendosur në karantinë, ndaj nëse ndeshja nuk shtyhet, rrezikon që të luajë me të rinjtë ndaj Torinos.