Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka bërë të ditur se janë konfirmuar 27 raste të reja me koronavirus vetëm gjatë 24 orëve të fundit.
Deri tani, numri i personave të infektuar në Kosova ka shkuar në 277.
20 nga rastet e reja janë në Prishtinë dhe kjo ka bërë që autoritetet vendase ta vendosin në karantinë kryeqytetin.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, me anë të një statusi në Facebook shkroi se situata është kritike dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi.
“Ditë jo e mirë për Prishtinën. Nga 25 kontaktet e personit të infektuar ditë më herët, 20 janë testuar pozitiv sot. Lajmi i mirë është që të gjitha janë kontakte të personit të infektuar. Lajmi i keq është se tani duhet të shtojmë masat resktriktive në Prishtinë.
Të gjithë personat ishin pa simptome. Pas konsultimeve me Ministrin Vitia, Prishtina prej sonte hyn në karantinë. Hyrje/daljet do të jenë të kontrolluara, si dhe do të kemi masa të shtuara policore në lagjen Mati 1. Policia nuk do të lejojë grumbullimin e më shumë se dy personave dhe po ashtu do të ketë kontrolla më të mëdha. Tri lokacione, një kompleks banesor dhe dy shtëpi shkojnë në mbikëqyrje 24 orëshe nga policia. Ditëve në vijim do të ashpërsohen masat. Me ditë të tëra kemi bërë thirrje për mosrelaksim. Po hyjmë në një fazë kritike. Në qoftë se ndonjëherë në jetë më keni dëgjuar për diçka po ju lus me qëndru në shpi”, mbyllet postimi i Ahmetit.