Barcelona njoftoi këtë të diel nëpërmjet një komunikate për shtyp se ekzaminimet mjekësore konfirmuan ndrydhjen e ligamentin anësor dhe këputjen e pjesshme të ligamentin kryqëzor të gjurit të Gerard Piquesë, që u dëmtua në sfidën e humbur 1-0 përballë Atleticos së Madridit në “Wanda Metropolitano”.
Diagnoza është konfirmuar por, për momentin nuk dihet se kur mund të kthehet mbrojtësi. Tani për tani, klubi po tenton që futbollisti t’i nënshtrohet trajtimit konservativ, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes kirurgjikale. Pritet të zhvillohet një konsultë me një specialist të jashtëm, më konkretisht me Dr. Cugat, një ekspert për dëmtimet në gju, i cili ka operuar Ansu Fatin pas dëmtimit në menisk.
Nëse do t’u referohemi parashikimeve më optimiste të klubit, Pique do të mungojë tetë javë me trajtim konservativ, nëse operohet qendërmbrojtësi do të jetë i detyruar të qëndrojë të paktën disa mua jashtë. Në rastin më të keq (shkalla e dëmtimit më e rëndë) me trajtim konservativ Piquesë do t’i duhen deri katër muaj pushim, ndërsa me ndërhyrje kirurgjikale gjashtë muaj.
Ndaj Atleticos u dëmtua edhe Sergi Roberto, që pritet të mungojë dy javë, si dhe Ousmane Dembele (dëmtoi shpatullën), për të cilin ende nuk ka një diagnozë të saktë për të përcaktuar kohën e rikthimit të tij në fushë.