Kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se tensionet mes Greqisë dhe Turqisë do të ulen dhe se palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Duke folur në tryezën e organizuar nga “The Economist”, Rama deklaroi prerë se ky konflikt nuk e vë Shqipërinë në pozicion të ngushtë.
Këtë deklaratë ai e bëri nisur nga marrëdhëniet që ka Shqipëria me Turqinë dhe Greqinë. Gjithashtu, kryeministri vlerësoi se presidenti turk, Recep Tayip Erdogan nuk është një politikan antigrek.
“Ne jemi në partneritet strategjik me Greqinë dhe Turqinë, por nuk mendoj se Shqipëria është mes dy zjarreve. Mendoj se ka potencial të krijohet një marrëdhënie që do të jetë e dobishme edhe për Evropën. Ajo çfarë mund të them është se pa asnjë dyshim presidenti turk nuk është një person apo politikan antigrek dhe nuk ka dyshim që e shkuara ka treguar që kur ka vullnet, ka një zgjidhje, dialog, dialog, dialog. Thjesht dialog i mirëfilltë. Asgjë nuk është e lehtë, por është e mundur. Jam i bindur se marrëdhëniet konstruktive greko-turke, janë vlerë për Evropën. Jam i sigurt që kjo do të ndodhë, por derisa kjo të ndodhë, nuk e di se çfarë do të ndodhë.”
Kurse ish-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, gjithashtu pjesë e panelit, përsëriti se dialogu do të ndodhë vetëm pasi Erdogan të bëjë përpjekjet për të ulur tensionet.